Rritja e çmimit të banesave, efekt i tregut/ BSH: Dyfishohet kërkesa në Tiranë, duke rritur çmimet me 9% në 2021-shin

Banka e Shqipërisë në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar nënvizon se, çmimet e banesave të shitura kanë qenë 8.4% më të shtrenjta se gjysma e parë vitit, dhe 9% më të shtrenjta se viti 2020. Ndërkohë, kostot e ndërtimit janë rritur me 3%. Periudha e vrojtimit i referohet vetëm vitit 2021 dhe nuk merr në konsideratë ecurinë e tregut gjatë vitit aktual, kur është vënë re edhe një rritje e ndjeshme e kostove të ndërtimit, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të lëndëve të para. Sa i përket kryeqytetit ndërkohë, Indeksi Fischer, që mat ecurinë e çmimeve, ka rezultuar 8.5% më i lartë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, krahasuar me gjysmën e parë të vitit, dhe 12.3% më i lartë se viti 2020.

“Vëllimi i shitjeve ose numri i njësive të shitura në zonat e preferuara të kryeqytetit ishte dy herë më i lartë në krahasim me vëllimin e shitjeve të realizuara gjatë gjysmës së parë të vitit, dhe ky zhvillim, për shkak të çmimeve më të larta të kësaj zone, përfaqëson edhe faktorin kryesor pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të banesave gjatë periudhës”, nënvizon mes reshtave Banka e Shqipërisë në raport.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të banesave është vënë re edhe në zonat e tjera, ku përjashtohet Tirana dhe bregdeti, ndërkohë që shitjet e raportuara në qytetet bregdetare janë realizuar me çmime mesatare më të ulëta në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Banka e Shqipërisë nënvizon se, rritja e kërkesës për banesa ka marrë mbështetje nga rritja e kredisë për prona dhe për ndërtim. Gjithsesi, shifrat në të njëjtin raport, bazuar në vrojtimin e rreth 230 subjekteve që mbulojnë gati 80% të tregut në vendin tonë, tregojnë se vetëm 30% e banesave dhe pronave tregtare është blerë me financim nga bankat, çka do të thotë se 70% e tyre janë blerë me “para në dorë”.

Sa i përket pritshmërive për të ardhmen, aktorët e tregut presin një rritje të kërkesës, por edhe të çmimeve, si për banesat ashtu edhe për pronat tregtare./SCAN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *