Kryeministri Edi Rama nga Spitali Rajonal në Fier, ka folur mbrëmjen e sotme në “Real Story” në “News24”, për ngjarjen e ndodhur sot në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë.
Rama solli një version tjetër të kësaj ngjarjeje, teksa deklaroi se, patronazhistët e PD-së janë të armatosur dhe shkojnë deri aty sa vrasin njerëz.
“Komenti im është që të gjithë qytetarët le ta mendojnë për një moment sikur kjo ngjarje të ishte zhvilluar në kahje të kundër, sikur furgonë të ngjashëm me furgonët e policisë të kishin mbërritur në cilindo qytet, duke pasur brenda një strukturë paramilitare me ish-oficerë policie dhe të kishin logon e PS.
Të ndalonin njerëzit në rrugë dhe t’iu kërkonin hesap apo të vinin vërdallë nëpër pika të ndryshme duke krijuar një situatë të paimagjinueshme dhe pastaj imagjinoni sikur nga furgonët me paramilitarë të loguar si të PS të hapej zjarr, të vritej dikush, të plagosej një efektiv policie dhe mu aty pranë kufomës Taulant Balla të mbante një fjalim ku të akuzonte palën tjetër, të merrte vrasësin dhe të largohej.
Vetëm kaq, nuk dua të them më shumë. Jemi vënë në shënjestër për arsye që kemi një organizim tipik të partive të mëdha të botës me patronazhistë që trokasin në dyer dhe komunikojnë me qytetarët ndërkohë që patronazhistët e PD janë të armatosur dhe shkojnë deri aty sa vrasin njerëz”,- deklaroi Rama.
Sipas Ramës, po të heqësh Presidentin Ilir Meta nga ekrani, fushata do të ishte europiane.
Rama thekson se, opozita ka nisur të ndjejë humbjen në zgjedhje. Ai shtoi se beteja e PS-së nuk është për jetë a vdekje, por Partia Socialiste ka shpalosur një program për të ardhmen e vendit.
“Ngjarja në Elbasan tregon dëshpërim të madh. Dëshpëriim kur shkohet deri aty ku nuk duhet të imagjinohet. Ky është proces, po të heqësh Metën nga ekrani, do ishte proces europian. Edhe grumbullimet që nuk duhet të bëhen nga PD-ja, por në territor kanë filluar të ndjejnë humbjen serioze më 25 prill.
Gjithë tensioni që kërkon të ngrejë Meta çon ujë në mullirin e gabuar të shoqërisë sonë. Ne nuk kemi dalë në fushatë elektorale që të plagosen e vriten njerëz. Kjo është garë për dy rrugë të ndryshme për të nesërmen e vendit”,- deklaroi Rama.
/Burimi: News24/