Takimi në Berlin me Kurtin, Vuçiç: I frikësohem bisedimeve me Scholzin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “është i trembur” përpara udhëtimit në Berlin, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Duke folur gjatë një vizite në Greqi, Vuçiç tha se “druan” nga bisedimet me Scholzin dhe se nuk pret që ato “të jenë të lehta”.

Scholz ka ftuar Vuçiçin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në bisedime të ndara, më 4 maj.

Atyre do t’iu bashkëngjitet edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Lajçak pritet të zhvillojë edhe një takim të përbashkët me Kurtin dhe Vuçiçin.

Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiç që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Dy vendet janë të angazhuara në këtë dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje.

Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Gjatë qëndrimit në Greqi, Vuçiç u pyet edhe për sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, por nuk tha se çfarë qëndrimi do të marrë Serbia për këtë çështje.

Serbia, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Më 21 prill, Vuçiç ka thënë se, pavarësisht presioneve, Serbia nuk do t’i rrezikojë interesat e saj kombëtare, duke sanksionuar Rusinë.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar disa herë Serbisë që t’i harmonizojë politikat e saj me bllokun evropian – ku synon të anëtarësohet – dhe ta sanksionojë Rusinë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *