Shkolla e re e cila po ndërtohet në zonën e “5 Majit” do të mbajë emrin e shkrimtarit dhe publicistit “Kiço Blushi”.
Kjo shkollë në shtator do të hapë dyert për 1300 nxënës nga Njësia 4 dhe Njësia 8.
Ndërkohë në lidhje me inspektimin e ecurisë së punës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo shkollë është një lajm i mirë për fëmijët e zonës, të cilët nuk do të kenë më nevojë të ndjekin mësimin në një shkollë larg banesës së tyre.
Godina e re do të shtrihet në një terren prej 17 mijë metrash katrorë për 600 nxënës të shkollës 9-vjeçare dhe 750 nxënës të gjimnazit, përfshin edhe 4 klasa të kopshtit dhe parashkollorit.
“Është super lajm për Njësinë 8, e cila është rritur jashtë mase, pasi përfshin edhe zonën mbi dhe nën Unazën e tretë, deri te Bregu i Lumit. E gjithë kjo lagje, që quhet edhe lagjja “Besa”, është rritur organikisht dhe artificialisht, edhe prej investimit që po bëjmë te “5 Maji”, ku po ndërtojmë pallatet e reja. Do të thotë se, në dekadën e ardhshme, parashikojmë që kjo do të jetë një shkollë jo vetëm me kapacitet të plotë, por jashtëzakonisht e nevojshme. Ishte e nevojshme edhe kur ishte zonë informale, por tani që është formalizuar, kjo shkollë bëhet jetike,” tha Veliaj.
Sakaq në lidhur me lagjen e re të rindërtimit tek “5 Maji” Veliaj u ka bërë thirrje familjeve të cilat nuk kanë firmosur kontratat, të vijnë t’i nënshkruajnë në njësitë administrative dhe të marrin apartamentet e reja.
“Kush ka ngelur ndonjë tek-tuk, që mendon se do të vijë ndonjëherë ndonjë parti që nuk do e përkrahë zhvillimin dhe do bllokojë projektet, e ka iluzion të kotë. Nëse ka ngelur ndonjë nga militantët e fundit, i bëj një ftesë miqësore: Eja nënshkruaj kontratën që të marrësh shtëpinë. Po vazhdojmë me ritmet te “5 Maji”, por ja ku është edhe shkolla. Idealin e partisë ruaje për njëherë në katër vjet, voto kundër kryetarit të Bashkisë nëse s’të pëlqen progresi dhe zhvillimi, s’ka asnjë problem por progresin nuk e ndalim dot! Duhet të vazhdojmë përpara. Tani që po kalojmë edhe shumicën e shërbimeve online, na duhet të inkurajojmë njerëzit që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt me lagjen e tyre. Ata fëmijë që lodhen vara-vingo me furgonë, gjatë këtyre orëve mund të mësojnë një gjuhë të huaj, një program kompjuteri, të ndjekin një kurs. Kemi bërë palestra, fusha sportive, që edhe komuniteti këtu, jo vetëm të mos ndihet në periferi, por të shohë që është një shkollë me të njëjtën cilësi, siç kemi bërë shkollat në qendër,” deklaroi kryetari.