Takimi me Scholz, Kurti: Dialogu me Serbinë bazuar në njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të mërkurë ka zhvilluar një vizitë në Gjermani ku në fokus ka qenë dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave.

Pasditen e sotme Kurti gjithashtu pritet të ketë një takim joformal edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Në konferencën për mediat pas takimit me Scholz, Kurti kërkojë që Gjermania të bëjë më shumë presion për liberalizimin e vizave.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radhe që edhe BE të kryej detyrat e saj”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera në fjalën e tij Kurti është shprehur se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe partneritet me NATO-n ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë. Sipas tij , Kosova mbështet Procesin e Berlinit, derisa refuzon iniciativa tjera paralele.

Gjithashtu Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.

“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, deklaroi Kurti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *