5 Maji- Dita e Dëshmorëve të Kombit

Dita e Dëshmorëve ose 5 maji është dita që përkujtohen të rënët e Shqipërisë.

Kjo datë është shumë e rëndësishme për shqiptaret, pasi në ketë date kujtohen dhe nderohen trimat qe luftuan për Shqipërinë e lirë. Bota e qytetëruar, shoqëritë e rritura përmes vlerave, ku janë kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, mes të tjerash, e kanë mësuar kombin të kthejë rregullisht kokën mbrapa e të shohë rrugën e përshkuar, të dijë nga vjen, të kujtojë e respektojë historinë e të parëve dhe të mësojë prej asaj kohe se ku do shkojë.

Kjo është arsyeja që pothuaj gjithë shtetet e kombet kanë një ditë në vit që përkujtojnë heronjtë, dëshmorët, të rënët në beteja për atdheun, për kombin.

Disa e quajnë “Dita e Heronjve”, disa të tjerë “Dita e Heronjve Kombëtarë” ose “Dita e Martirëve”.

Vendi ynë e ka konsideruar si “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” dhe pasi Republika e Kosovës e përshtati këtë ditë përkujtimore, 5 Majin, edhe për bijtë e bijat e saj të rënë për lirinë, u mësuam ta quajmë “Dita e Dëshmorëve të Kombit”.

Për arsyet e caktimit të ditës, nga vende të ndryshme vijnë kultura të ndryshme. Shpesh mbahen në ditëlindjen e një heroi apo heroine kombëtare, ose zgjidhet momenti i veprave të tyre të mëdha, që i bëri ata heronj.

Në shumë raste kremtimi i “Ditës së Heronjve” lidhet me një betejë përcaktuese, ku të rënët që luftuan kundër armiqve të vendit, ka qenë i madh ose përcaktues për fatet e kombit. Në raste të tjera lidhet me një ditëlindje të heroit, burrë ose grua, aktet e guximshme të të cilëve i kanë mundësuar vendit të rriten si komb.

Po kësaj dite i janë kushtuar memorialë monumentale, ku populli, por posaçërisht elita kombëtare, bën në këtë ditë nderet dhe ceremonitë protokollare.

Shqipëria, si dhe disa vende të tjera, kanë caktuar si të tillë ditën e rënies së një heroi. Vrasja në 5 maj 1942 e Qemal Stafës, ish- sekretarit politik i të rinjve komunistë, në nderim të veprës së tij, është caktuar të jetë Dita a Dëshmorëve.

Cilët konsiderohen Dëshmorë të Atdheut?

Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet: (SIPAS Ligji Nr. 8607, datë 27.04.2000)

  • Personave të rënë në luftë për liri dhe pavarësi kombëtare para 28 Nëntorit 1912 dhe shtetasve shqiptarë që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, para 7 prillit të vitit 1939;
  • Shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (7 prill 1939 deri më 29 Nëntor 1944) dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre; që kanë vdekur për shkak të plagëve të marra në luftë ose janë ekzekutuar, ose kanë vdekur nga tortrat në burgje e kampe përqëndrimi nazifashiste deri më 9 maj 1945;
  • Shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetrorë, deri më 9 maj 1945;
  • Shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë në vitet 1998-1999;
  • Shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945 ose kanë vdekur nga plagët e marra në këtë luftë;
  • Shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetrore nga terrorizmi, ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;
  • Shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *