Rusia tërheq trupat ushtarakë pas stërvitjeve afër kufirit me Ukrainën

Rusia ka urdhëruar kthimin e trupave ushtarake në bazat e përhershme brenda shtetit, prej të premtes duke gjykuar se stërvitja ushtarake në këtë territor ka përfunduar.

“Trupat kanë demonstruar aftësinë e tyre për të siguruar një mbrojtje të besueshme të vendit. Kështu që vendosa të përfundoja aktivitetet e inspektimit në rrethet ushtarake jugore dhe perëndimore në kufi me Ukrainën,” tha ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu.

Prezenca e aeroplanëve luftarakë, anijeve dhe mijëra trupave në kufirin me Ukrainën është kritikuar rëndë nga fuqitë perëndimore. Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se në stërvitjet ushtarake në Krime kishin përfshirë 60 anije, më shumë se 10,000 trupa, 200 aeroplanë dhe 1,200 automjete ushtarake. Më shumë se 2,000 parashutistë praktikuan ulje me 60 automjete ushtarake vetëm të enjten, ndërsa avionët luftarakë fluturuan lart.

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Rusia ka dërguar rreth 100,000 trupa afër kufirit. Sipas NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, ky është grumbullimi më i madh i forcave që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe u dha mbështetje separatistëve në lindje të Ukrainës. Nga marsi deri në muajin qershor, më shumë se 28,000 forca nga 26 kombe, do të kryejnë stërvitje ushtarake në më shumë se 30 zona trajnimi, nëpër vende të ndryshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *