Ngjarja në Elbasan/ Ambasadorja Yuri Kim: Të kapën shkelësit, askush nuk është mbi ligjin!

Tre ditë para zgjedhjeve kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim me ambasadorët Yuri Kim dhe Soreca. Në përfundim të këtij takimi, Kim ka folur për mediat dhe i bëri thirrje udhëheqësve të politikës shqiptare që të sigurojnë një proces të qetë zgjedhor më 25 prill. Ajo u ndal te ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Elbasan, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani për shkaqe politike. Ambasadorja tha se të gjithë janë tejet të shqetësuar nga ajo që ndodhi.

“Të gjithë jemi të shqetësuar nga lajmi i asaj që ka ndodhur dje, është e rëndësishme që shkelësit të mund të kapen që të gjithë të ndëshkohen pa përjashtim. Nuk ka një trajtim të posaçëm apo të veçantë për askënd, sepse askush nuk është mbi ligjin.

Sikurse e kanë theksuar shumë persona, zgjedhjet e 25 prillit kanë lidhje me të ardhmen, jo me të shkuarën. Gjëra të tilla të tmerrshme siç kanë ndodhur në të shkuarën, si grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, duhet të mbeten në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtare e NATO dhe aspiron të futet në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve, që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, të bëjnë thirrje për qetësi, të sigurohen që do të ketë qetësi dhe të mos ketë nxitje për asgjë tjetër që nuk ka lidhje me qetësinë.

Ne jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e marra nga drejtuesit e vendit. Falënderoj z. Rama dhe z. Basha, që kanë bërë thirrje për qetësi dhe që të mos pranohet dhuna, si dhe që të mund të votohet më 25 prill. Me lejoni të theksoj atë gjë që e kam thënë që kur kam ardhur në Shqipëri, dëshiroi t’iu drejtohem votuesve shqiptarë: Ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju”, tha ambasadorja Kim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *