Komisioni i Rithemelimit mblodhi ditën e sotme në selinë blu Këshillin Kombëtar për të votuar rezolutën për Presidentin e ri si edhe për të votuar kryetarin e ri të Këshillit.
Pas votimit të fshehtë të anëtarëve të pranishëm, u bë edhe numërimi në fund të të cilit fitues u shpall Edi Paloka me 132 vota ndërsa Eleina Qirici mori 79 vota.
Mirëpo gjatë numërimit të bërë live, pasqyrohet një bisedë mes anëtarëve të komisionit kur po kryhej procesverbali.
Duket se numëruesit janë të paqartë në lidhje më numrin e anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim dhe e zgjidhin kështu:
“Fletë votimi gjithsej 211”, thotë një anëtar.
“Jo jo – thotë anëtari tjetër- kanë qenë më shumë, futja 300”
“Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.
Sipas procesverbalit të plotë të shpërndarë nga PD, nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, prezentë ishin 203 anëtarë.
Njoftimi i plotë i PD-së:
Partia Demokratike për herë të parë publikon në transparencë të plotë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, diskutimet, dhe procesin e votimit dhe numërimit për Kryetar të Këshillit Kombëtar.
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi Kryetarin e saj, Edi Paloka, i cili garoi përballë kandidates Eleina Qirici.
Anëtarët e Këshillit në nisje të punimeve firmosën prezencën e tyre manualisht dhe në memorien digjitale.
Nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, punimet nisën me 203 anëtarë prezent, numër shumë më i lartë se kuorumi i nevojshëm.
Në një proçes tërësisht transparent, votuan 211 anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Në bazë të rezultateve të votimit, Edi Paloka mori 132 vota kurse kandidatja Eleina Qirici 79 vota.
Në fund të procesit, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale publikon procesverbalin e rezultateve të votimit.