VIDEO EKSKLUZIVE/ Xhelal Mziu “maskon” ushtarët e Agron Kuliçit si blerës votash për Partinë Socialiste

E reklamuar si “aksion” për mbrojten e votës, ndalimi i një automjeti në Dibër ishte thjesht show i Xhelal Mziut me ushtarët e Agron Kuliçit. Pas verifikimeve që “Priza.al” bëri për ngjarjen në fjalë, rezulton se personat në automjet janë eksponentë të Partise Demokratike të zonës, e më konkretisht levat e Agron Kuliçit. Pamjet filmike që disponon “Priza.al” dëshmojnë se tentativa e Xhelal Mziut për të bërë trazirë në zonë, shkoi huq. Ky rast pengmarrje ka ndodhur mesditën e sotme në Maqellarë të Dibrës. Kandidati i PD-së, Luan Haka dhe militantët kanë bllokuar dy qytetarë që lëviznin me automjetin e tyre, me pretendimin se po shpërndanin para në këmbim të votave. Militantët e PD-së kanë bllokuar mjetin, deri sa kanë mbërritur uniformat blu, për të qetësuar situatën e agravuar.

Ky nuk është incidenti i vetëm përgjatë vetëm një muaji fushatë elektorale. Ish-kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, dhunoi dje një 36-vjeçar në fshatin Vaqarr të Tiranës. Mbrëmjen e djeshme, një kamion i ngarkuar me ushqime është ndaluar nga Hoxha, i cili dyshoi se po shpërndaheshin për fushatë. Duke menduar se po bëheshin pazare për zgjedhjet e 25 prillit, ai i ka bllokuar rrugën mjetit të Bledar Gogës dhe ka dhunuar këtë të fundit. Por tentativa e tij për të vënë drejtësi, duket se i ka shkuar dëm. Kjo pasi ushqimet ishin të fondacionit të Elvis Naçit dhe do të shpërndaheshin tek besimtarët myslimanë për iftar. Kjo histori e padëgjuar më parë, për fat të keq vjen në vazhdën e zgjedhjeve të cilat po ‘lahen’ me gjak. Po kështu, një ditë e përgjakshme ishte ajo e së mërkurës. Elbasani u kthye në kryefjalën e ditës, pasi arma nuk kurseu viktimën e radhës.

Ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit dhe plagosja e 4 personave të tjerë tronditi Elbasanin. Strukturat e PD-së në Elbasan njoftuan policinë se një furgon pa targa po shpërndante para dhe po blinte vota. I arrestuari Arbër Paplekaj, si autor i  vrasjes së Pjerin Xhuvanit, rezulton të jetë ish-pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Shtetit, i angazhuar në fushatën e PD-së dhe pjesë e ekipit të Gazmend Bardhit. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, drejtues politik për fushatën në qarkun e Elbasanit. Ndërsa viktima, Pjerin Xhuvani, ka qenë i angazhuar në fushatën e PS-së, po në qarkun e Elbasanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së mërkurës, kur 3 furgona që drejtoheshin nga disa persona, pjesë e shtabit të Partisë Demokratike, kanë ndaluar këtë fuoristradë tip  Benz-in ML pa targa, me pretendimin se personat që gjendeshin në të shpërndanin para dhe u merrnin zgjedhësve kartat e identitetit.

Në vendngjarje ka shkuar edhe policia si dhe mbështetës të tjerë të PS-së, përfshi edhe viktimën Pjerin Xhuvani, i cili mësohet se ka mbërritur me një makinë tjetër. Situata ka dalë jashtë kontrollit, dhe palët kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Struktura e ‘mbrojtjes së votës’, në vend që të ruajë votën, në fakt po merr jetë njerëzish. Kjo strukturë po kërkon të dublojë shtetin dhe policinë!

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *