Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai, konfirmoi dy vdekje, duke thënë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur nën rrënojat e shkollës në Bilohorivka.
Rreth 90 njerëz ishin strehuar në ndërtesë dhe 30 u shpëtuan, shtatë prej tyre u plagosën, shtoi ai.
BBC thotë se akuzat e tij nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur dhe shton se nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Rusia.
Luhanski ka përjetuar luftime të ashpra ditëve të fundit ndërsa trupat ruse dhe luftëtarët separatistë kërkojnë të rrethojnë forcat qeveritare ukrainase, pak më shumë se dy muaj që nga fillimi i pushtimit rus.
Bilohorivka është afër qytetit të Severodonetsk, pjesë e kontrolluar nga Ukraina.
Shpërthimi rrëzoi ndërtesën e cila mori flakë dhe zjarrfikësve iu deshën tre orë për të shuar flakët, raportuan autoritetet ukrainase.
Ato thanë se pothuajse i gjithë fshati ishte strehuar në bodrumin e shkollës.
Numri përfundimtar i të vdekurve do të dihet vetëm kur rrënojat të pastrohen, thanë autoritetet.
Mijëra luftëtarë besohet gjithashtu se janë vrarë ose plagosur nga të dyja palët.
Më shumë se 12 milionë njerëz thuhet se janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i konfliktit, me 5.7 milionë që janë larguar në vendet fqinje dhe 6.5 milionë të tjerë mendohet se janë zhvendosur brenda vetë Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
Pjesa më e madhe e Luhanskut, e cila është pjesë e rajonit të Donbasit, ka qenë nën kontrollin e separatistëve për tetë vitet e fundit./REL