Shqipëria tjetër/ “Pasi mbarova klasën e 9-të, babai më martoi”! Drama e Anës, nëna: Nuk mund të dilja kundër burrit

Një nga plagët më të rënda është mohimi i shkollimit për shkak të gjinisë. Ky “kancer malinj” që po ndjek në pjesën dërmuese vajzat në periferi duke zëvendësuar arsimimin e tyre me një martesë me një mashkull 10 – 20 apo edhe 30 vite më të madh.

Pamundësia ekonomike e familjeve, mendësitë e mykura patriarkale po thyejn krahët e këtyre ëngjëjve në mes.

Lidhur me këtë fenomen kaq shqetësues, Priza.al sjell në vëmendjen tuaj “mankthet” e disa vajzave në krahinën e Devollit, ku nëpërmjet rrëfimit të tyre del në dritë Shqipëria tjetër larg kryeqytetit të vrullshëm ku femra i nënshtrohet “pronarit” (bashkëshortit) dhe familjes së tij.

Personazhet e këtij realiteti të dhimbshëm janë Ana, Denada dhe Ela.

Të treja këto vajza janë banuese në fshatin Çipan, Devoll, të moshës 17, 18 dhe 23 vjeç. Ndonëse janë relativisht të reja por edhe si bashkëmoshatare, ajo çka i bashkon është historia “drithëruese“ e tyre, pasi kanë qenë “viktima“ të fatit.

Ana, Denada dhe Ela janë vajza plot ëndërra, por këto të “qëndisura“ sipas vullnetit të prindërve të tyre, në pamundësi për të kundërshtuar dhe kërkuar lirinë.

Gazetarja e Priza.al rrëfen bisedën me vajzat; fiks mëngjes, dorë për dore me vëllain drejt shkollës 9-vjeçare Çipan, në Devoll.

Plot fëmijë turren rrëmbimthi brenda klasave. Teksa ndodhem përball portës së madhe, pas shpine një zë i lehtë më tërheq vëmendjen, “Ah sikur”?!

Gazetarja: Pse sikur?

Uli sytë dhe tha: Unë nuk munda të vazhdoja arsimin e mesëm, por u “prangosa” pikërisht tek dyert e kësaj shkolle, menjëherë pas përfundimit të ciklit 9-vjeçar.

Gazetarja: Po sikur rrethanat të ishin ndryshe, a do vazhdoje studimet më tej?

Fytyra e saj shndërriti.

“Po patjetër që do vazhdoja studimet, pasi penges e vetme për mua dhe motrën u bë mentaliteti që kanë familjet shqiptare, por sidomos familjet në zonat rurale.

Ana D. për arsye personale nuk pranonte të prononcohej me emrin e plotë, tregoi se nuk kishte luftuar dot për të vazhduar studimet, por në këmbim i dhanë një martesë në moshë të hershme.

“Pavarësisht se ju luta babait që të paktën të kryeja arsimin e mesëm, ai preferoi të mos sakrifikonte për mua dhe zgjodhi rrugën më të lehtë, të më martojë 15-vjeçe”, tregon ajo.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët, edhe pse ora shënonte pothuajse 9:30 e paradites, Ana pothuajse në këtë orar zgjohet çdo ditë nga gjumi.

Është vetëm 17 vjeçe, por nuk nxiton për në shkollë, Anën nuk e la i ati që të ndjekë dijen. E pafuqishme për të dalë kundër vullnetit të të atit, 17-vjeçarja tashmë është e martuar me një 30-vjeçar.

“Po dhe babi se ka keq, më duhet të shkoja e vetme deri në Fitore, pasi ky është fshati më i afërt që ka gjimnaz, do ishte mirë të mos shkoja vetëm… Nëse do të kishte arsim të mesëm këtu në fshatin ku unë banoj, ndoshta do të ishte ndryshe”, tha Ana me një zë të nënshtruar.

Familja e Anës ka 5 antarë, dy prindërit, motra dhe vëllai i vogël, i cili pati të njëjtin fat si motrat.

Ana është fëmija i parë dhe gjendja financiare është e dobët.

Babai i saj emigron hera herës në shtetin fqinj Greqi dhe nëna është shtëpiake. Edhe dy fëmijët e tjerë, veç Anës që tashmë është e martuar, ditën e kalojnë në shtëpi. Motra e saj e vogël merret me punët e shtëpisë ndërsa vëllai ndihmon nënën në punët e bujqësisë.

Alma.D, nëna e Anës i tha Priza.al se “Na prishi punë që nuk kemi gjimnaz në fshat. Për zotin nuk mund të dal kundër burrit”.

“Ai nuk pranoi ta çojë në shkollë, jo se kishte frikë se vajza mund të bëj diçka që mund të na turpëronte, por janë shtuar njerëzit e këqinj”, shtoi ajo, duke nënvizuar se nëse gjimnazi do të ishte në fshat,vajza e saj nuk do të gjendej në këtë situatë.

Një prej mësueseve në këtë shkollë nuk e fshehu hidhërimin për Anën.

“Nuk e imagjinon dot sa më dhimbset. E ka mbaruar 9-vjeçaren me nota maksimale dhe ta dish çfarë lufte kemi bërë dhe sa i jemi lutur të atit që ta çonte në gjimnaz. Kur mora vesh që e ka ndaluar më therri në zemër”, tha mësuesja.

Trishtimi i saj bëhet edhe më i madh kur na tregon se Ana ka dhe motrën e saj më të vogël në të njëjtën situatë: “Po me sa duket, edhe atë nuk e la kush të shkojë në shkollë”.

Edhe pse Ana ishte vetëm 15-vjeç, familja e saj ka marrë një mori kërkesash për martesë, dhe nuk nguruan ta martonin.

Historitë e vajzave që i “flijojnë”drej martesave të hershme në moshën e Anës, në Shqipëri nuk janë të rralla.

“Kisha një vajzë para 5 vitesh, mbaroi klasën e 9-të, e kishin fejuar në qershor sapo mbaroi shkollën, ndërsa në tetor e martuan”, kujton mësuesja e kësaj zone.
“Më pikoi në zemër kur e mora vesh, ndoshta asaj i ecën mbarë, por ishte veçse një fëmijë dhe ky nuk është rasti i vetëm në këtë fshat”, shtoi mësuesja.

E pyetur lidhur më këtë situatë, Lireta, edukatorja e këtij fshati pohon se vajzat janë ato të cilat regjistrojnë shifrat më të larta të braktisjes së shkollës në pjesën më të madhe, kjo për shkak të martesës duke krijuar kështu edhe një rreth vicioz.

“Jemi shumë në faj ndaj femrave, pasi vazhdon të jëtë e diskriminuar. Shkolla është larg, herë pas herë nuk kanë tualete dhe familjet zgjedhin t’i martojnë, përgjithësisht me emigrantë për t’i siguruar një jetë më të mirë”, tha ajo.

Teksa kujton se ka pothuajse një jetë të tërë që jep mësim në këtë fshat, plot 17 vite.
“E lashë shkollën në vitin e parë të gjimnazit, pasi babi kuptoi ngacmimet që kisha prej çunave dhe shkak i mentalitetit ai sakrifikoi arsimimin tim”, më tregoi e reja me iniciale XH.M., e cila ashtu si Ana braktisi shkollën në Shqipërinë e vitit 2022.

Vajza 20-vjeçare ka plot 6 vite që i ka lënë në hije librat. E detyruar për të braktisur shkollën, tashmë jeta e saj përmblidhet në vetëm disa rreshta: e punësuar në fasoneri dhe një fejesë në moshën 15-vjeçare.

E pafuqishme hera herës për t’i përballuar të dyja njëkohësisht, ajo pohon se nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër.

“Nuk doja ta braktisja shkollën, e doja shumë librin, atmosferën dhe gjallërinë që më jepte dija. Por nuk kisha zgjidhje tjetër, ndaj dhe u fejova për të mos i lënë më shkak fshatit, të bënin thashetheme për mua”, tha ajo.

Varfëria emërues i përbashkët

Për Denadën, vajzën 18-vjeçare nuk ishte pengesë vetëm mentaliteti.
“Në këto kushte ku jemi, e kam të pamundur ta dërgoj në shkollë, sepse duhet të kujdeset për bagëtitë që kemi”, shprehet babai i vajzës, ndërsa pohon se ka trokitur në dyert e bashkisë ku janë banorë por askush nuk e ka marrë në konsideratë rastin e tyre.
“Unë kam nevojë për ndihmë ekonomike, asistencë. Me çfarë do t’i rris unë këta katër fëmijë, jetesa është e vështirë, me vështirësi i paguajmë edhe dritat. Jam zhytur në borxhe! Unë e kam mendjen si t’i siguroj një copë bukë për të ngrënë, jo ta çoj në shkollë, prandaj kam marrë rrugët e kurbetit”, përfundon ai.

Kundra punës

Ela, një vajzë modeste dhe e ndrojtur, mban minimumi 1-3 libra nëpër duar çdo ditë dhe përpiqet që sadopak të mbaj botën e saj lidhur fort pas librit. Vetëm e vetëm për kënaqësinë që merr prej tij.

“E lash shkollën në vitin e dytë të gjimnazit, pasi babi im u operua dhe ishte i pamundur për punë. Mu desh që unë të kujdesesha për babin në mënyrë që mami të vazhdonte punën e saj”, tha ajo.

Ela sot është 23-vjeç dhe pas përmirësimit të gjendjes së babait të saj, provoi të aftësohej në profesionin e estetikës, ku tashmë e ka gjetur veten si parukiere. Gjatë gjithë kohës, ajo shkon derë më derë për të plotësuar nevojat që kanë klientët.
Ela na tregon se haset shpesh me paragjykime, sidomos nga të rinjtë dhe të moshuarit që shpesh mundohet t’i evitojë.

“Në shumë raste fillojnë e tallen, që unë ende lexoj libra, kur në të njëjtën kohë jam në shtëpi dhe kryej profesionin”, tha e reja.

Ndërsa shton se fakti që nuk përfundoi shkollën, nuk do të thotë se nuk mund të lexojë.

Ndonëse Shqipëria është angazhuar për t’u dhënë fund martesave të fëmijëve deri në vitin 2030, siç përcaktohet në Synimin 5.3 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të), sot për sot politikat publike në Shqipëri nuk përmbajnë veprime specifike, për t’iu përgjigjur kësaj shkeljeje të të drejtave të fëmijëve.

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *