Katër policë janë vënë nën hetim në lidhje me arratisjen e 21-vjeçarit Kristian Medollit nga ambientet e Gjykatës së Korçës, teksa ishte shoqëruar për t’u njohur me masën e sigurisë.
Hetimet për 3 inspektorët dhe komisarin e policisë kanë nisur në lidhje me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Njoftimi i Policisë:
Korçë – Më datë 08.05.2022, Drejtoria Rajonale Elbasan – Korçë e AMP në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, referoi materialet e para hetimore në gjendje të lirë për 4 punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;
- Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,
- Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë
- Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme
- Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë
Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.