Një 34-vjeçar është arrestuar në Kurbin, pasi kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike.
Mësohet se shtetasi Mark Jani kishte kultivuar 19 bimë narkotike në kova, me anë të instalimeve elektrike me llamba, aspiratorëve dhe tubacioneve të uji.
Sakaq, nga kotrolli i policisë rezultoi se 34-vjeçari kishte kryer edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Sakaq është proceduar penalisht faturuesja e OSHEE-së R. Ll., 46 vjeçe.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet, nga Policia e Kurbinit, një tjetër operacion policor, i koduar “Bogzat”, për goditjen e veprimtarisë së kultivimit të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Gjatë operacionit, në një banesë, u zbulua një dhomë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Vihet në pranga pronari i banesës.
Procedohet penalisht në gjendje të lirë faturistja e OSHEE-së së zonës, për shpërdorim detyre.
Sekuestrohen bimë narkotike dhe pajisjet e ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, në ambientet e banesës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe për evidentimin e rasteve të abuzimit me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në Kurbin.
Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit M. J.(P.), u evidentua një dhomë, brenda së cilës u gjetën 19 bimë narkotike, të cilat ishin kultivuar në kova, me anë të instalimeve elektrike me llamba, aspiratorëve dhe tubacioneve të ujit. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. J.(P.), 34 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasja R. Ll., 46 vjeçe, banuese në Laç, me detyrë faturiste e OSHEE-së.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bimët narkotike, pajisjet elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.