Arjan dhe Vilma Konomi mbetën të plagosur si pasojë e aksidentit të rëndë që ndodhi të dielën në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
I afërmi i tyre, Elvis Toçi, ka treguar për emisionin “Opinion” detaje në lidhje me situatën shëndetësore të dy të lënduarve, të cilët në momentin e ngjarjes ishin duke lëvizur edhe me foshnjen e tyre që fatmirësisht shpëtoi pa lëndime. Ai tha se Vilma ka reaguar mëngjesin e sotëm dhe gjëja e parë që ka kërkuar ka qenë fëmija.
“Falë mjekëve mund ta them me bindje sot mund ta them me bindje që janë rikuperuar dhe kanë dalë jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë nuk jam unë që duhet ta them. Pas 48 orësh, sidomos Vilma ka pasur goditje dhe dëmtime serioze në kokë. Arjani ka thyer 7 brinjë, legeni është i dëmtuar. Nuk duhet të lëvizin. Për fat sot spitali ushtarak i futi në një dhomë. Vilma dje nuk reagonte, sot në mëngjes ka reaguar. kjo është gjë shumë e mirë sepse të jesh koshient, gjëja e parë kërkoi fëmijën”, tha Toçi.
I afërmi tha se ata janë dy njerëz të thjeshtë. Ata ishin bërë me fëmijë vetëm pak muaj më parë.
“Ata po gëzonin në një ditë pushimi. Arjani punon në Ministri të Arsimit, Vilma është doktoreshë në Vorë, është pediatre. Nuk ka ç’të thuash. Çdo njeri normal që sheh atë video ndihet i irrituar”, u shpreh Toçi.