E dështuar që në fillim, projekti i “Super League” ka marrë goditjen finale. Pas tërheqjes së parë, disa prej themeluesve u munduan të mbajnë në jetë kompeticionin që tronditi futbollin.
Por tani edhe ata duhet të dorëzohen, pas tërheqjes së financuesit kryesor, kolosit bankar amerikan “JP Morgan”.
“Duket qartë se e vlerësuam gabim se si kjo marrëveshje do të pritej nga komuniteti futbollistik dhe çfarë impakti do të kishte në të ardhmen. Nga kjo kemi nxjerrë mësimet”,- thuhet në një reagim për “NY Times” nga ana e “JP Morgan”,- që kishte dalë hapur duke konfirmuar financimin e “Super League”.
Sipas marrëveshjes, disa gjigandë financiarë do të paguan si fillim 3.25 miliard euro, që do t’i shpërndahej menjëherë klubeve pjesëmarrës si mbështetje për infrastrukturën.
Secili klub do të përfitonte nga 200 deri në 300 milion euro që në nisje. Ky financim do të ishte një borxh afatgjatë, që duhej të paguaj në 23 vjet, sigurisht me një interes nga 2 deri në 3% në vit.
/Priza.al/