Humbi gruan në tragjedinë e Gërdecit dhe kërkoi drejtësi nga gjykata e Strasburgut, akordohen mijëra euro për Mustafa Liçin

Mustafa Liçi i cili humbi gruan në tragjedinë e Gërdecit ka fituar të drejtën nga gjykata e Strasburgut për t’u dëmshpërblyer nga qeveria shqiptare.

Qeveria do të akordojë 10.500 euro për familjën e Liçit, i cili kërkoi drejtësi nga institucionet ndërkombëtare.

Paratë do të depozitohen në llogarinë bankare të Laçit nga ana e ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

VENDIMI I PLOTË:

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 19.10.2021, PËR ÇËSHTJEN “LAÇI KUNDËR SHQIPËRISË”, KËRKESA NR.28142/17

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 19.10.2021, për çështjen “Laçi kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.28142/17, përfundimtar në datën 19.1.2022, në shumën 10 500 (dhjetë mijë e pesëqind) euro për mbulimin e dëmit jopasuror dhe kosto e shpenzime, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
  2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohen shumat në datën e kryerjes së pagesës.
  3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Mustafa Laçi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 19.10.2021.
  4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Mustafa Laçi, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
  5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) për qind.
  6. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.
  7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *