Ngjarja në Elbasan duket se do të marrë një tjetër rrjedhë, sidomos pas nisjes së një hetimi nga SHÇBA-ja, pas faktit të zbuluar nga kamerat e zonës, ku shikohet se si në mënyrë të turpshme dy nëndrejtorë dhe 8 policë, ja mbathën me vrap sapo grupet rivale nxorën armët.
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave po verifikon dy zëvendës drejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Niko Palla dhe 8 policë të forcës së posaçme “Shqiponja”, që ndodheshin në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit.
Mësohet se hetimi nga SHÇBA ka nisur ditën e sotme dhe pritet që për efektivët të merren masa administrative, pasi dyshohet se me mos veprimet e tyre nuk kanë parandaluar ngjarjen e rëndë që ndodhi para dy ditësh.
SHÇBA ka sekuestruar rregullore dhe ka kërkuar planin e ndërhyrjes së trupës prej 10 policësh në lagjen “5 Maji” në Elbasan, duke sekuestruar edhe bisedat e policëve të realizuara në RADIO dhe telefonat e tyre për këtë ngjarje.
Ky hetim ka nisur pasi dëshmi të banorëve të zonës kanë rrëfyer se policia, nuk ka ndërhyrë në asnjë moment edhe pse ka qenë në vendngjarje kur ka ndodhur përplasja me armë. Madje sipas banorëve, Nushi dhe Palla janë larguar me vrap, duke mos kryer asnjë veprim për të parandaluar ngjarjen apo për arrestimin e personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
“OraNews” shkruan se pamjet filmike të sekuestruara në vendngjarje, tregojnë se së bashku me efektivët e policisë, është larguar me vrap dhe Klemend Xhaferi ose “Kel Çami”, i cili deri në këto momente rezulton i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit. Verifikimet e 8 policëve dhe të dy nëndrejtorëve janë duke u kryer në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit.
Çfarë ndodhi në Elbasan?
Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i njohur si mbështetës i Partisë Socialiste dhe ish-drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është ekzekutuar me armë zjarri në Elbasan.
Ngjarja e rëndë që ka marrë tashmë dhe emrin “Masakra e Elbasanit”, la pas edhe katër persona të plagosur. Ata janë: ish-polici Emiljan Prenga 39 vjeç, person me precedent penalë; Pavlo Vuksani 50 vjeç, ish-efektiv i policisë kriminale; Eltjon Bodinaku 32 vjeç (dhëndrri i viktimës) si dhe efektivja e forcave “Shqiponja”, Xhensila Sota 27 vjeçe.
Për vrasjen e ndodhur akuzohen dy persona: Arbër Papleka dhe Klement Xhaferri. I pari është ish-punonjësi i RENEA-s i vendosur pranë grupit të SMV (Struktura e Mbrojtjes së Votës në Partinë Demokratike), ndërsa i dyti njihet si Kel Çami.
Papleka akuzohet nga policia edhe për plagosjen e polices së Shqiponjave, Xhensila Sota, edhe për heqje të lirisë të drejtuesit të mjetit tip ML, të Muhamet Gresajt.
/Burimi: OraNews/ Priza.al/