VIDEO/ Në Elbasan mbetet situata e tensionuar. Shtabi elektoral i PD-së përplaset sërish me FNSH-në. Bardhi: Urdhërohen nga bandat  

Efektivë të Policisë së Elbasanit dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë zbarkuar sot gjatë ditës në zyrat e Partisë Demokratike në qytetin e Elbasanit. Mediat kanë raportuar se efektivët janë futur brenda zyrave dhe kanë kërkuar të ushtrojnë kontrolle, dy ditë pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Por, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përplasur me ta. Ai nuk ka dashur që efektivët të futen brenda zyrave për kontrolle, pa treguar një proces verbal.

Në videot e transmetuara shihet se, Bardhi u kërkon llogari efektivëve dhe përplaset me ta. Ai i akuzon policët se janë urdhëruar nga bandat për të ushtruar kontrolle, ndërkohë që nuk kanë as proces verbal.

“Për çfarë ke ardhur në shtabin tim, makina është e pastër. Dua proces verbal, ti ke ardhur në shtabin tim, jo unë, pse ke ardhur këtu. Ju urdhërojnë bandat, shkoni atje jo në shtabin tim”,- dëgjohet të thotë Bardhi.

Nga ana tjetër, sot Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave po verifikon dy zëvendës drejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Niko Palla dhe 8 policë të forcës së posaçme “Shqiponja”, që ndodheshin në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Ky hetim ka nisur pasi dëshmi të banorëve të zonës kanë rrëfyer se policia, nuk ka ndërhyrë në asnjë moment edhe pse ka qenë në vendngjarje kur ka ndodhur përplasja me armë. Madje sipas banorëve, Nushi dhe Palla janë larguar me vrap, duke mos kryer asnjë veprim për të parandaluar ngjarjen apo për arrestimin e personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes.

/VIDEO: Dosja.al/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *