Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka folur për rëndësinë e vënies në jetë të reformës së drejtësisë në Shqipëri.
Në një intervistë për emisionin “Open”, Kim deklaroi se kjo reformë nuk kërkohet vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe se këtë e kërkojnë vetë qytetarët shqiptarë.
Ambasadorja Kim: Ka shumë fusha që kanë nevojë për përparim dhe, sigurisht, këtë e shihni në raportet që botojmë nga Departamenti i Shtetit dhe në raporte të tjera ndërkombëtare. Nuk janë të fshehta. Jemi shumë të qartë publikisht dhe privatisht me Qeverinë Shqiptare lidhur me fushat ku duam të mbështesim më shumë përmirësim.
Eni Vasili: Cilat janë këto?
Ambasadorja Kim: Për shembull, përpjekja e madhe për vitet e fundit ka qenë reforma në drejtësi. Kjo vazhdon të jetë një fushë që është një fokus parësor për ne si dhe për europianët. Dhe, nuk është thjesht sepse kërkohet për anëtarësimin në BE apo se e duam ne, Shtetet e Bashkuara, për miken dhe partneren tonë Shqipërinë, por sepse është ajo që populli shqiptar, qytetarët e zakonshëm shqiptarë duan më shumë. Mendoj se e shihni po aq sa edhe unë në sondazhe. Sigurisht e dëgjoj kur udhëtoj në vend, kur flas me njerëz të zakonshëm për ato që kanë në mend. Flasin për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Flasin për vende pune.
Të rinjtë gjithmonë flasin për vende pune, apo jo? Dhe ç’më thonë? Më thonë se kanë gjithë shkollimin, e duan vendin e tyre, duan të qëndrojnë, por nuk mendojnë se kanë një shans të drejtë. Kjo është çështje e korrupsionit. Është një çështje e korrupsionit. Bizneset janë të interesuar për Shqipërinë. Gjithë kohën ka biznese amerikane që më kontaktojnë tani për shkak se shohin Bechtel dhe Exxon dhe Excelerate. Por çështja është që nuk janë të qartë për rregullat dhe mendoj se kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor që provon se ndjekjet penale dhe gjykimet në gjykata janë të qarta dhe të pastra dhe në përputhje me ligjin, si në pjesën tjetër të Europës dhe në Amerikë, do të vijnë më shumë biznese. Do të ketë më shumë vende pune për shqiptarët dhe amerikanët.
Përpos kësaj, kur korrupsioni të eliminohet dhe njerëzit të ndjejnë se e merr një vend pune sepse je i kualifikuar, jo sepse je nipi i këtij apo atij dhe vajza e këtij apo atij, gruaja e këtij apo atij dhe burri i kësaj apo asaj, por e merr bazuar në merita. Ky vend ka kaq shumë talent dhe ne si Shtetet e Bashkuara urojmë që korrupsioni, krimi i organizuar, gjykatat e korruptuara të eliminohen në mënyrë që potenciali, madhështia e popullit shqiptar të çlirohet, në mënyrë që të jeni edhe një mik më i mirë dhe një partner më i mirë për ne.
Eni Vasili: A është Shqipëria në rrugën e duhur për ngritjen e këtyre institucioneve për të cilat ju folët?
Ambasadorja Kim: Kjo është një rrugë shumë e vështirë por ne besojmë se jeni në rrugën e duhur dhe e shihni këtë të reflektuar në raportimet tona, e shihni të reflektuar në progres-raportet e BE-së. Sigurisht, edhe një herë, nuk do të thotë se çdo gjë është 100% dhe çdo gjë shkon sahat. Është e qartë që ka fusha ku duhet përparim dhe prandaj themi se, për shembull për reformën në drejtësi, nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po bën përparim.