Sikundër ishte njoftuar nga zëdhënësi i tij, Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme, ku ngriti alarmin për krimin zgjedhor. Ai u ndal në masakrën e Elbasanit, ku me tone të ashpra kërkoi që të zbardhet urgjentisht ngjarja. Presidenti tha se provat ishin aty, e ndërsa policia nuk reagoi.
“Dhe pse kanë kaluar orë nga ngjarja, nuk është dhënë asnjë përgjigje për ngjarjen tragjike që meriton të zbardhet urgjentisht. Përpara se të kemi ngjarje të tjera dhe të mos kemi asnjë ngjarje tjetër.
Dhe pse dje kam ngritur disa pyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet, këto të fundit prokuroria dhe policia nuk po veprojnë. Ka një vullnet të padukshëm, kokëfortë dhe kriminal për ta shtyrë këtë proces pas zgjedhjeve. Provat kanë qënë atje, se kush ka qënë atje, në mes të Elbasanit duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve”, tha Meta.
Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i njohur si mbështetës i Partisë Socialiste dhe ish-drejtor i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, u ekzekutua pak ditë më parë me armë zjarri në Elbasan. Ngjarja e rëndë që ka tashmë dhe emrin “Masakra e Elbasanit”, la pas edhe katër persona të plagosur.