Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj nuk i ka kursyer vërejtjet ndaj ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, në lidhje me konpetencat dhe me shkeljen e afateve nga Këshilli i Ministrave për dhënien e rekomandimeve për Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me luftën ndaj krimit.
I pranishëm në Komisionin e Ligjeve, Xhafaj tha se procesi do të duhet të përmbyllet brenda datës 31 Mars, siç e parashikon edhe ligji, ndërkohë që shtoi se qeveria nuk ka tagër që të reagojë për nisjen e procedimeve specifike.
Në përgjigje, Manja tha se shkelja e afateve ka ndodhur pasi në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe nga qeveria e kaluar. Ai shtoi se ka një ngërç mes prokurorive e ministries. Sipas ministrit Manja, mungon databaza për këtë gjë.
Pjesë nga biseda:
Fatmir Xhafaj: Është me rëndësi që të kuptojmë të gjithë se nga rrjedh fakti që ne jemi në këtë tavolinë për të dëgjuar ministrin, është dispozita që parashikon qartë disa momente. E drejta e Këshillit të Ministrave për të rekomanduar, në luftën kundër kriminalitetit, që këto rekomandime janë të këshillit të ministrave dhe jo kryeministrit apo ministrave.
Është ministri ai që e prezanton këtë dhe tjetra, që këto fokusohen vetëm te kriminaliteti dhe jo te çështje konkrete se kush duhet hetuar apo jo, dhe detyrimin e Këshillit të Minsitrave për të ndjekur zbatimin e këtyre rekomandimeve. Ky ushtrim parlamentar, zhvillohet në disa realitete konkrete, ky është viti i tretë i institucioneve të drejtësisë, reforma në drejtësi është qartësuar, dhe së treti ka qenë dhe është momenti për një analizë më të thelluar, për të reflektuar, ndoshta edhe për ta modifikuar qasjen tonë në këtë proces.
Në këtë kontekst të situatës por edhe të vetë ligjit, do të doja t’i bëja ministrit disa pyetje, bazuar në rekomandimet që ai ka paraqitur: Së pari ligji ju detyron ju që rekomandimet t’i paraqisni deri në 31 Mars, pyetja ime është a janë miratuar këto rekomandime në Këshillin e Minsistrave? U janë bërë prezente prokurorëve? Cila është problematika e re dalluese në krahasim me një vit më parë? Ju keni ardhur këtu që të paraqisni këndvështrimet tuaja, në lidhje me zbatimin e rekomandimeve, a përputhen këto rekomandime të dhëna në atë kohë, me zhvillimet reale të kriminalitetit në vend?
Në rekomandimet e 2021 dhe 2022, ju, pra qeveria, keni vendosur prioritet numër 1 pavarësinë e prokurorëve, cila është lidhja që bëni ju me kriminalitetin? Në përgjigjet tuaja ju folët për kërkesa të reja për Oficerë të Policisë Gjyqësore, megjithëse kryetarja e Komisionit tha se u është dhënë më shumë sesa duhet. A ka një analizë sot për problematikat? Apo ne do të vazhdojmë të ecim me kërkesa të rastit, gjykime të rastit dhe reagime të rastit.
Ulsi Manja: Është e vërtetë që ligji përcakton që çdo 31 Mars, Këshilli i Ministrave duhet të prezantojë te prokurorët rekomandimet për vitin e ardhshëm, afati nuk është zbatuar asnjëherë. Nga asnjë qeveri, kështu është vepruar edhe nga qeveritë e kaluara. Për këtë vit janë miratuar në këshillin e ministrave, në datën 11/5/2022, shumë shpejt ne do të kemi një prezantim me të gjithë drejtuesit e prokurorive siç e kërkon edhe ligji.
Është një pyetje që ka të bëjë me korrespodencën me prokurorinë e përgjithshme dhe SPAK. Më lejoni që në krye të herës t’ju them që ky problem dhe metodologjia që përdoret sot, meriton një analizë të posaçme. Mënyra e transmetimit të të dhënave të kriminalitetit, nga prokuroritë e shkallëve të parë, te prokuroria e përgjithshme, dhe më pas te ministria e drejtësisë ka një ngërç. Është mungesa e një sistemi të integruar, nuk ka një database të saktë me të dhëna.