Ndërron jetë petagogia e njohur Edlira Haxhiymeri, ish-deputete e Partisë Socialiste

Ndahet nga jeta ish-deputetja e Partisë Socialiste dhe profesoresha Edlira Haxhiymeri. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga familjarët.

Haxhiymeri vuante nga një sëmundje e rëndë prej pesë vitesh dhe nuk mundi të fitojë betejën.

“Të dashur familjarë dhe miq, me pikëllim të madh ju njoftoj se nëna ime e shtrenjtë, Edlira Haxhiymeri, ndërroi jetë.

Ju falenderoj për ndihmesën dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë më shumë se 5 viteve tejet të vështira ku luftuam me çdo mjet e mënyrë për të mposhtur sëmundjen e saj.

Lamturia e fundit për Edën tonë të dashur është nesër në varrezat e Tufinës. Nisja e kortezhit është në ora 11:00 nga shtëpia funerale Alba 2000”, shkruan djali në një postim në rrjetet sociale.

Kush ishte Prof.Dr. Edlira Haxhiymeri

Që nga viti 1987 ajo ka dhënë mësim në fushën e psikologjisë dhe ka punuar prej 30 vitesh pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale

Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, njihet si personalitet i spikatur i botës akademike, i politikës dhe i shoqërisë civile shqiptare.

Ajo ishte profesore në Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson (SHBA). U diplomua në fushën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982. Mbrojti doktoratën në fushën e studimeve psiko-sociale në Universitetin e Tiranës, në vitin 1995. Fitoi titullin akademik “profesor i asociuar” në vitin 2003, ndërsa titullin akademik “profesor” në vitin 2016. Kishte kryer specializime pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë në vend dhe në fushën e politikave dhe administrimit të arsimit në SHBA.

Pati një përvojë prej 39 vitesh në mësimdhënie dhe kërkim në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe të punës sociale, e përqendruar në nënfushat: sjellja njerëzore, mirëqenia e fëmijës, zhvillimi i fëmijës, të drejtat e fëmijëve, gjinia dhe barazia, të drejtat e grave, fuqizimi i grave.

Ka kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e shkollës së punës sociale në Shqipëri, si dhe në formimin, përgatitjen dhe diplomimin e dhjetëra brezave të punonjësve socialë dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve psikosociale në vend. Kishte përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e arsimit dhe të shkencave sociale.

Ajo punoi për një vit si pedagoge vizitore në GVSU, Michigan të SHBA. Dha mësim në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

Dha një kontribut aktiv në zhvillimin e reformave arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri. Gjatë 22 viteve të fundit ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit të Tiranës, zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës dhe zëvendësministre e Arsimit. Kontribuoi për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe zhvillimin e programeve të studimit në fushën e punës sociale në Universitetin e Evropës Juglindore të Maqedonisë së Veriut.

Ishte anëtare e disa shoqatave profesionale ndërkombëtare të fushës së arsimit dhe të punës sociale. Pati një përvojë të pasur në koordinimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare në fushën e arsimit. Edlira botoi si autore dhe bashkautore shumë artikuj në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, botoi tekste shkollore dhe universitare.

Ajo spikati për aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të grave. Ajo ishte drejtore ekzekutive e Strehëzës për gra dhe vajza të dhunuara, në Tiranë. Ajo luftoi për kauza të rëndësishme të shoqërisë dhe në veçanti të familjes shqiptare.

Ajo pati një angazhim politik në Partinë Socialiste dhe u pozicionua me një mendim ndryshe. Ajo ishte prefekte e Qarkut të Tiranës.

E gjithë jeta e Prof.Dr. Edlira Haxhiymerit u karakterizua nga humanizmi, aktivizmi dhe profesionalizmi. Me shembullin e saj ajo ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve. Edlira do të kujtohet si një ndër personalitetet e shquara të botës akademike dhe gratë e suksesshme të Shqipërisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *