Edona Bilali shtatzënë për herë të parë, mes angazhimeve politike dhe “pritjes së ëmbël”

Edona Bilali është ndër ministret më të reja në kabinetin e qeverisë. Të gjithë u çuditëm kur ndeshëm emrin e saj në listën e Shkodrës, e më pas emrin e saj si ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ndonëse në një moshë të re, ajo çon përpara një ministri me një volum pune. Por duket se kjo nuk e ka ndaluar që të jetojë jetën e saj larg politikës.

Një lajm i mirë mbërrin nga Edona, e cila duket se është në pritje të ëmbël për herë të parë. Ministrja ka vendosur që këtë lajm ta mbajë edhe për disa kohë të fshehtë, duke u fokusuar te detyra e saj dhe angazhimet dinamike që ka si ministre. Deri më tani, në rrëfimet që ka pasur për jetën private, ministrja nuk e ka përmendur asnjëherë këtë lajm kaq të gëzuar. Ministrja 33-vjeçare dhe bashkëshorti i saj do të bëhen së shpejti me fëmijën e tyre të parë, dhe këtë periudhë po e jetojnë të gëzuar, duke zgjedhur ta mbajnë privat si lajm.

Megjithatë miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e afërt të Bilalit, e kanë marrë tashmë lajmin e mirë të saj, duke shkëmbyer menjëherë edhe urimet për shtatzëninë e një prej ministreve më të reja. Vetëm pak javë më parë, Edona foli publikisht për jetën e saj private, duke zbuluar se ishte lumturisht e martuar. Ministrja ishte e ftuar në emisionin “FitStation” me Çenkuela Hasën.

Në këtë intervistë për ekranin e “News24”, ajo zbuloi detaje nga takimi i parë me Kryeministrin Rama, raporti me familjen dhe bashkëshortin. “Pjesë të politikës më bëri takimi me Kryeministrin Rama, një takim i paparashikuar. Nuk kam pasur ambicie politike, vij nga radhët e biznesit. Në takimin me Kryeministrin ishte surprizë e gjithë situata, hyra me pritshmëri shumë të ulëta, por patëm dhe gjatë takimit diskutimet tona, pasi unë kisha rezerva që mund të ishte bërë diçka më mirë, gjithmonë për Shkodrën”, u shpreh ministrja Bilali.

Në këtë intervistë, ajo foli dhe për bashkëshortin duke zbuluar më shumë detaje për jetën personale. “Jam e martuar dhe e dashuruar. Bashkëshorti nuk ka lidhje me politikën, as me jetën publike. Ai është mbështetja ime më e madhe dhe njëkohësisht kritiku më i madh”, tregoi Edona Bilali në këtë rrëfim ndryshe. Më tej, në këtë intervistë, ajo zbuloi mbështetjen që i jep familja, duke zbuluar se si studente, si sot që është ministre, ajo e merr bukën me vete.

“Unë di të gatuaj dhe shumë mirë, sidomos gjatë karantinës kam gatuar çdo ditë. Gjëja që di të gatuaj më mirë është sallata. Jam e fiksuar që në sallata të fus shumë përbërës, sidomos fruta”, u shpreh ajo. Aktualisht ministrja është thuajse në mesin e shtatzënisë dhe barku i rrumbullakosur ende “arrin” të fshihet poshtë veshjeve zyrtare që ajo mban veshur.

Çdo të enjte ajo nuk mungon në seancat plenare, ku ndonëse shtatzënë, ajo vijon me të gjitha angazhimet e saj. Ashtu si koleget e saj në kabinetin Rama, edhe Edona me gjasa do të rikthehet shumë shpejt në krye të detyrës pas lindjes, si dhe do ta vijojë detyrën në krye të ministrisë deri në ditët e fundit para lindjes. Ashtu siç vetë ajo është shprehur, tashmë familjarët e saj jetojnë në Tiranë dhe me siguri, këtë herë e gjithë mbështetja e tyre do të shkojë edhe për fëmijën që Bilali po pret.

Edona Bilali është emëruar ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Edona Bilali ka lindur në vitin 1989 në Shkodër. Në zgjedhjet e fundit ajo kryesoi listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Shkodër. Referuar jetëshkrimit të saj zyrtar, në vitet 2006-2010 ajo ka kryer Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, për Administrim biznesi. Në vitet 2012-2014 ka kryer po në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë një master profesional në Marketing.

Në vitin 2017 ajo ka nisur doktoraturën për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare në Austri. Sa i përket eksperiencës së punës, nga viti 2013 e deri tani ajo është administratore dhe ortake në një studioje konsulence në Tiranë. Që prej viti 2010 është pedagoge e ftuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe që prej viti 2011 është menaxhere projektesh ndërkombëtare me donatorë të ndryshëm.

Ka kryer një serë kursesh dhe trajnimesh në institucione ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë. Në rrjet shpesh ajo është përfolur shpesh për deklaratat e saj, ku më e spikatura është krahasimi i Kryeministrit Rama me Zeusin. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, Edona Bilali, ka sqaruar deklaratën e saj që u bë virale kohët e fundit, ku e krahasonte Kryeministrin Edi Rama me Zeusin. Gjatë një interviste në “Faxnews”, Bilali ka treguar se këtë deklaratë e ka bërë në vitin 2017, kohë kur ka qenë pjesë e shoqërisë civile.

Ajo tha se deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit dhe se e ka bërë në kohën kur ishte pjesë e shoqërisë civile dhe nuk ishte angazhuar politikisht. Megjithatë shtoi se batuta e saj vlen ende sot, në një kohë ku, sipas saj, opozita nga formale është bërë qesharake. “Deklarata e Zeusit, por që mendoj se është thjesht e nxjerrë nga konteksti, është një deklaratë e vitit 2017 kur isha akoma pjesë e shoqërisë civile, ende e paangazhuar politikisht.

Por është një fakt interesant, sepse edhe në ditën e takimit me Kryeministrin, i kam shprehur të njëjtat problematika që kam shprehur në vitin 2017, edhe ditën që pranova për t’u bërë pjesë e skuadrës së tij. Një qeveri e cila nuk ka një opozitë konstruktive, është një qeveri e cila lehtësisht mundet të kalojë në gjendje letargjie. Ne fatmirësisht kemi opozitën më të fortë brenda vetes.

Pra, jemi skuadër që punojmë 24/7 dhe fatkeqësisht batuta ime dhe ironia ime e vitit 2017 është ende në fuqi. Po të ishte për opozitën dhe opozitat e sotme, që kanë kaluar nga formale atëherë në qesharake sot, rrugëtimi ai do ishte. Kështu që as deklaratës së vitit 2017 nuk i heq fatkeqësisht apo fatmirësisht asnjë pikë, se vazhdon të jetë e vlefshme ende sot.

Ne fatmirësisht i bëjmë opozitë vetes, pa po të jetë për opozitën, do të ishim shumë rehat. Por për shkak se punojmë 24/7 që populli vendosi me votë të lirë për të na besuar këtë detyrë dhe këtë privilegj për të vazhduar t’u shërbejmë për herë të tretë”, u shpreh Bilali. Në deklaratën e bërë virale në rrjetet sociale kohët e fundit, Bilali shprehej se Rama është rrugës për t’u bërë Zeus dhe se opozita është duke dhënë kontributin e saj për këtë dhe që Shqipëria të kthehet në një monarki të mundshme.

“Zoti Rama vërtet nuk është Zeusi, por unë do ta perifrazoja nuk është akoma Zeusi, por është në rrugën e duhur, pasi përveç pjesës që ai ka në staf dhe në qeveri, është edhe opozita me qëndrimet e ditëpasditshme, është duke dhënë edhe ajo kontributin e vet që më pas një Zeus, i cili pastaj të kthehet edhe forma që qeveriset Shqipëria ndoshta në një kshu… monarki të mundshme”, ishin fjalët e Bilalit.

Në rrjetet sociale, ajo është gjithnjë aktive, për të përditësuar publikun me gjithçka që lidhet me punën e saj si ministre, por edhe si drejtuese e PS-së në qarkun e Shkodrës. Ndaj, lajmi për shtatzëninë e saj, është ndër të rrallët që publikohet nga jeta e saj private, që deri më tani ka qenë misterioze./PanoramaPlus/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *