Pas kallëzimit nga qytetarja Elisa Bita për dhunën e ushtruar ndaj saj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur hetimet për shefin e komisariatit të Divjakës, Altin Shehu. Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat.
Elsa Bita, aktiviste e Partisë Demokratike në Divjakë, ka denoncuar se është rrahur nga shefi i Policisë në Divjakë, Altin Shehu, pasi sipas saj, po filmonte administratën duke marrë pjesë në takime elektorale. Nga spitali, Bita thotë se Shehu e ka sulmuar vetë personalisht, pasi policët e tjerë nuk iu bindën kur u tha që ta shoqëronte në komisariat.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se: Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat. Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin.Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.