Ditën e sotme në orën 16:00 ishte afati i fundit për të dorëzuar propozimet për kandidatët për president, teksa ende nuk ka asnjë emër për tu hedhur në votim në raundin e parë që do të mbahet nesër në orën 17:00.
Ndërkohë qeveria dhe opozita ende nuk kanë gjetur konsensus sa i përket kandidaturave. Kujtojmë që brenda opozitës, ka grupime të ndryshme kudisa prej tyre mendojnë se e gjitha kjo “skemë negocimi” ishte një lojë e mazhorancës për të fituar pikë në sytë e publikut.
Ndarja në grupin opozitar është e thellë, ku Enkelejd Alibeaj e sheh veten si kryetar të PD dhe përfaqësuesin e demokratëve në bisedime, ndërsa Komisioni i Rithemelimit ka caktuar deputetët Luciano Boçi dhe Oerd Bylykbashi si negociatorë për emrat e kandidatëve për president.
Në deklaratat e bëra, kreu i grupit parlamentar të PS ka deklaruar se mazhoranca kërkonte që të kishte konsensus me opozitën për figurën e kreut të shtetit, por shtoi se nuk pranonin emra të cilat do të vinin si propozim i Berishës.
Nga ana tjetër, kreu i PR Fatmir Mediu pas takimit me Ballën, ditën e premte deklaroi se opozita duhet të jetë e unifikuar në këtë proces.