Mediat ndërkombëtare jehonë kritikave të Metës ndaj ambasadores amerikane

“Presidenti i Shqipërisë ka akuzuar ambasadoren amerikane, se po ndërhyn në punët e brendshme të vendit, duke mbështetur kryeministrin në zgjedhjet parlamentare”. Kështu shkruhet në artikullin e medias prestigjoze “Associated Press”, e cila i ka kushtuar një hapsirë veprimeve të fundit të presidentit Meta.

Sipas ‘AP’, Meta u shpreh ashpër për ambasadoren Yuri Kim gjatë një bisede televizive të premten në mbrëmje, duke i bërë thirrje kësaj të fundit që të ndalojë së mbështeturi kryeministrin Rama, i cili po shkel zgjedhjet, sipas tij.

Teksa emisioni po transmetohej në televizionin ‘Syri’, Kim i dërgoi një mesazh me tekst Metës. Gjithashtu ajo shkroi në “Twitter” në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen të dielën, duke iu përgjigjur një paralajmërimi që Meta dha këtë javë, që shqiptarët të mprehin shpatat dhe mjete të tjera, nëse kryeministri përpiqet të manipulojë votimin ose rezultatet.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë qytetarët dhe t’i nxisë ata që të rrëmbejnë ‘sfurqet’ në 25 prill, në rast se nuk iu pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë të dënohen. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre”, tha ambasadorja Kim.

Dy partitë më të mëdha politike në Shqipëri, janë rivalë të fortë në zgjedhje. Përballjet midis mbështetësve të qeverisë së Ramës dhe atyre të opozitës, e arritën kulmin ditën e mërkurë me vdekjen e një mbështetësi kryesor të Partisë Socialiste. Policia tha se viktima u qëllua nga një anëtar i Partisë Demokratike, gjatë një debati që përfshinte anëtarët e kampeve kundërshtare.

Meta ka akuzuar Ramën për drejtimin e një ‘regjimi kleptokratik’, që përqendroi të gjitha fuqitë legjislative, administrative dhe gjyqësore te kryeministri. Ai gjithashtu akuzoi Ramën për vonesën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta mban postin pa përkatësi partiake. Ai më parë drejtoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të krahut të majtë, e cila tani drejtohet nga gruaja e tij.

Gjatë bisedës të premten në mbrëmje, Meta e quajti Ramën një “gangster” dhe një “të sëmurë psiqik”. Ai u nervozua dukshëm pasi lexoi mesazhin e Kim dhe hodhi pretendime ekstreme në lidhje me ambasadoren e SHBA-së. Në një moment, presidenti la të kuptohej se Kim mund të ishte pjesë e një fushate ndërkombëtare lobimi kundër tij, e udhëhequr nga Serbia.

“Ka qarqe të korruptuar. Ka lobime të paguara nga Serbia, atje (në Sh.B.A) dhe në vendet e tjera, të cilat përdorin përfaqësuesit e Amerikës kundër Ilir Metës”, tha ai.

Burimi i lajmit: AP. Përshtati: Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *