Komisioni i Ligjeve është mbledhur këtë të hënë për raundin e parë të përzgjedhjes së Presidentit të ri. Siç edhe dihet tashmë ky raund ka dështuar, pasi të dyja palët, si maxhoranca dhe opozita nuk kanë propozuar asnjë emër.
Deputetja, Klotilda Bushka tha se procesi kërkon gjithëpërfshirje. Bushka i kërkoi opozitës që të jetë më bashkëpunuese në propozimin e emrave, në mënyrë që procesi të mos krijojë ngërçe.
“Ky është proces që kërkon gjithëpërfshirje. Askush nuk mund të bllokojë një proces parlamentar. Unë jam në dijeni, si pjesë e konferencës së kryetarëve që u është bërë thirrje për të marrë pjesë në seancat. Nuk e di në ç’fazë jeni me diskutimet. Logjika është që ne si komision përveç qëllimit për t’i dhënë qëndrim të saktë kandidaturave. Dy detyra na jep kushtetuta është vlerësimi i kritereve, që kërkon që kandidati për President të jetë shtetas shqiptar nga lindja.
Dy kritere janë të rëndësishëm e duhet të vlerësohen nga ne. E para ka të bëjë me rishikimin e pastërtisë të së kaluarës. Duhet të ketë integritet në përputhje me kriteret e parashikuara dhe duhet të jetë subjekt që nuk ndalohet për kandidim si ligj i dekriminalizimit. Ftoj palët të jenë më të përfshira, jo të jenë duke dhënë mend apo këshilla. Gjithsecili ta nisë nga vetja”, tha Bushka.