Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, ka raportuar këtë të mërkurë në Komisionin e Ligjeve në lidhje me dinamikat e ndodhura në vitin 2021 në institucionin që ai drejton prej një muaji.
Balla tha se gjatë vitit 2021, ka pasur 2 prokurorë të arrestuar ndërsa një tjetër ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa 8 të tjerë kanë kërkuar mbrojtje nga KLP.
“Kam vetëm një muaj që drejtoj KLP dhe më ra radha të raportoj për veprimtarinë kur është drejtuar nga një tjetër anëtar, gjithsesi është kënaqësi të ndaj me ju hallet dhe problematikat që ka sistemi i prokurorisë. KLP gjatë vitit 2021 është mbledhur në 39 seanca plenare.
Njëherë në muaj jemi detyruar të mblidhemi, por jemi mbledhur më shpesh përshkak të problematikave.Gjatë vitit 2021 kemi marrë 415 vendime per sistemin e prokurorisë. Gjatë vitit 2021 kemi përgatitur 52 raporte vlerësimi profesional për prokurorë në kuader të vetingut.Gjithashtu KLP ka për detyrë të bëjë dhe vetingun e kandidatëve për prokurore para se të fillojnë shkollën e magjistraturës. Për vitin 2021 keni kryer verifikim për 25 kandidatë nga të cilët për 23 kemi bërë miratimin dhe kanë filluar shkollën e magjistraturës, për një kemi vendosur se nuk është i përshtatshëm, ndërsa një ka hequr dorë. Gjatë vitit 2021 është hapur gara për drejtues të prokurorive të rretheve, ku kanë kandiduar 24 prokurore te cilët duhet t’i nënshtrohen një vetingu të dytë.
Na kanë ardhur 5 procedime disiplinore gjatë vitit 2021, kemi shkarkuar 2 prokurorë, për 1 kemi bërë vërejtje publike dhe për 2 të tjerë po i trajtojmë gjatë vitit 2022. Gjatë vitit 2021, jemi detyruar fatkeqësisht që te pezullojmë 3 prokurorë, dy të arrestuar dhe nje në arrest shtëpie. Numri total i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga KLP gjatë vitit 2021 ështe 8”, tha ai.