Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur këtë të mërkurë në Komisionin e Ligjeve për drejtësinë e re dhe institucionet e saj.
Xhafaj tha se ka disa institucione të drejtësisë së re që nuk kanë arritur pritshmëritë e publikut për llogaridhënie e transparencë, duke përmendur edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ndër të tjera ka deklaruar se anëtarët e këtij këshilli janë anëtarë me kohë të plotë dhe paguhen si asnjëherë më parë në këto 30 vite.
“Mendoj që është një seancë dëgjimore shumë e rëndësishme kjo e sotmja për shkak se këtu janë përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Do mjaftonte kaq për ta bërë peshë të rëndë këtë diskutim. Reforma ka hyrë në një proces delikat të zbatimit të saj. Nga zbatimi i saj varen shumë gjëra në këtë vend.
Drejtësi e re do të thotë kushtetutë dhe ligje të reja. Përgjegjshmëri, llogaridhënie, transparencë që i kanë munguar sistemin. Të gjithë shpresojnë që drejtësia e re ta bëjë këtë gjë. Disa prej këtyre institucioneve kryesisht KLP nuk e ka arritur. Nuk ndihem mirë që e artikuloj sot këtë gjë. Por dua të jem i drejtë. Nuk kam më arsye ta mbaj koston përpara publikut. Nuk ka pse ta mbajë shoqëria këtë gjë. Do e mbani ju. Këshilli është institucion kyç. Janë anëtarë me kohë të plotë. Paguheni si asnjëherë në këto 30 vite. 3 mijë çështje në një vit. Të gjitha këto janë paratë e shqiptarëve, Ne thjesht bëjmë shpërndarjen. Ata kanë të drejtën të na kërkojnë llogari. Duhet t’ju kërkojnë ju llogari përmes nesh. Balla që është këtu nuk është anëtar i thjesht”, tha ai.