Komisioni i Rithemelimit ka denoncuar sërish sot marrëveshjen e një dite më parë mes kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeajt që opozita të ketë të drejtën të propozojë kandidatë për Presidentë në raundin e dytë dhe të tretë.
Deputeti, Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat tha se Rama po kërkon ta shesë Presidentin si konsensual duke përdorur demokratët.
“Dje u shpall një marrëveshje e re. Balla i dha të drejtën Alibeajt të propozojë kandidatë për president. Rama kërkon që kandidatin e tij të preferuar ta sjellë opozita dhe ta shesë si President konsensual”, tha Bylykbashi. Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur sot deputetët e PD-së që të legalizojë marrëveshjen e tij personale me Ramën.
Deputetët e PD janë të ndërgjegjshëm që përfaqësojnë vullnetin e demokratëve. Opozita nuk ka nevojë për marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo është në kushtetutë. PD e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë. Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i vullnetit të popullit”, tha ai.