Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës së mbajtur këtë të premte me gazetarët, tha se i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të nisë hapja e negociatave me Shqipërinë.
Ndër të tjera ai shtoi se Rama është duke u përpjekur që të paraqesë se shkaku që ende nuk janë hapur negociatat është Bullgaria, por sipas tij është një trillim.
“Sot në Shqipëri është Presidenti i KE, unë e përshëndes vizitën e tij, një vizitë është mbështetje, por përpjekje e Ramës për të paraqitur murin bullgarë si pengesë për hapjen e negociatave janë fund e krye trillim. Nuk është muri bullgarë, por muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë në të vërtetë si faktor që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave. Megjithatë jam këtu për t’i bërë thirrje BE dhe vendeve anëtare së pari të hapin negociatat me Shqipërinë, siç tregonte me objektivitet rezoluta e Parlamentit Europian. Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, por mendoj se hapja e negociatave dhe qëndrimi në kapitujt përkatës për kushtet është mënyra më e drejtë që qytetarët shqiptarë të vetëdijesohen se ku qëndroj shkaku i vërtetë i bllokimit. Mos hapja e negociatave, është një akt me pasoja të rënda, për vendin dhe rajonin”, tha ai.