Rama duke bërë pazar/ Truk marketingu apo përpjekje për të kuptuar krizën?

Fiks në orën kur mijëra qytetarë të shqetësuar për rritjen e çmimeve, dolën në protestë para kryeministrisë në datën 9 Mars, në ERTV po transmetohej muzikë popullore shqiptare nga Dubai.
Kryeministri Rama ishte atje për një panair dhe me vete kishte marrë ansamblin e këngëve dhe valleve popullore. Xhepat ende nuk i kishin dhënë sinjal se çmimet e ushqimeve ishin rritur nga lufta Ukrainë.

Por në dyqane produktet kishin ditë që ishin shtrenjtuar. Nafta, në anën tjetër kërceu në shifra rekord brenda natës.

Presioni ekonomik ende vazhdon. Kohët e fundit, Rama ka pozuar për foto duke bërë pazaret e shtëpisë. Herë para një tezge me domate dhe herë me një trastë në dorë, ai duket se po tenton të kuptojë më shumë nga jeta dhe hallet e përditshme e shqiptarëve. Apo janë të gjitha një truk?

Në fakt, qeveria është “pasuruar” nga lufta në Ukrainë. Nga tatimet, doganat, TVSH dhe taksat e tjera u shtuan paratë e buxhetit.

Vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, nga Janari deri në Prill qeveria fitoi 284 milion euro më shumë se viti i kaluar.

Por si po i shpërndan këto para?

Me t’u kthyer nga Dubai, Rama bëri gati “Paketën e Rezistencës”. Rreth 60 milion euro u shpërndanë për pensionistët, të cilët morën 30 mijë lekë të vjetra për tre muaj.

Rreth 12 milion euro të tjera ishin mbështetje për fermerët dhe 5 milion euro për të mos ndryshuar çmimin e biletës.

Gjithsej rreth 80 milion euro ndihmë për më të varfërit.

Por lufta në Ukrainë pati efekte edhe tek xhepat e më të pasurve. Për shembull, ndërtuesit e mëdhenj që kishin fituar tendera nga shteti para luftës, vunë re se paratë nuk iu mjaftonin më. Çmimet e materialeve të ndërtimit u rritën, sepse Ukriana ishte një nga prodhuesit kryesorë.

Qeveria mori vendim që të shtojë me 30% paratë e fituara në tenderat publikë nga kompanitë e ndërtimit.

“Autoritetet kontraktuese do të marrin në analizë, çmimet e çimentos, hekurit, bitumit, bakrin etje.. që janë shtrenjtuar, do analizojmë çmimet dhe faturat duhet të njihet 30% rritja e çmimeve. Fondi i kompensimit do të përcaktohet në varësi të kërkesave”, – tha Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Euronews Albania llogariti se shifra e kompensimit të kompanive të ndërtimit arrin rreth 80 milion euro.

Të njëjtin fond që shpërndau për më të varfërit, qeveria po e çon edhe për më të pasurit. Mund të ishte më keq.

Gjithsesi mbetet në pikëpyetje nëse Paketa e Rezistencës do të zgjatet përtej 3 muajve të premtuar për pensionistët. Apo ndihma për ta do të ndërpritet në qershor.

Rama nuk e ka përmendur më që nga marsi. Atëherë i pyeste pensionistët që takonte rastësisht, nëse e kishin marrë apo jo 30 mijë lekshin. Kohët e fundit nuk e përmend më.

Nëse bën pazar vërtet në dyqanet pranë kryeministrisë, siç shfaqet nëpër foto, duhet ta dijë se çmimet e ushqimeve mbeten ende të larta. Pensionistët janë edhe ata të shqetësuar si ndërtuesit për xhepat e tyre./ Burimi:Lapsi.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *