Gjatë vitit 2020 Produkti i Brendshëm Bruto me çmime korrente, në Shqipëri, është vlerësuar në 1,64 trilionë lekë duke shënuar rënie në terma realë me 3.48%, krahasuar me vitin 2019-të. Kjo si pasojë e ndikimit të pandemisë dhe kufizimeve që u bënë në shumë sektorë të ekonomisë gjatë asaj periudhe. Nëse këtë tregues do ta analizonim sipas rajoneve vëmë re se Produkti i Brendshëm Bruto në rajonin veri regjistrohet në 372.5 mld lekë, në rajonin qendër 818.8 mld lekë, ndërsa në rajonin jug 452.7 mld lekë. Kur flasim për strukturën sipas rajoneve, çmimet korrente në rajonin veri janë sa 22.66% e PBB-së, në qendër janë sa 49.8% e PBB-së, ndërsa në jug sa 27.54% e PBB-së.
Sipas qarqeve kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2020, e ka dhënë Qarku Elbasan me 0,02 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Berat me 0,01 pikë përqindje. Të gjithë qarqet e tjera kanë kontribuar negativisht. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë qarku Tiranë me 1,40 pikë përqindje, i pasuar nga qarku Durrës me një kontribut prej 0,59 pikë përqindje dhe qarku Fier me një kontribut prej 0,58 pikë përqindje.
Po si paraqiten të dhënat e Produktit të Brendshëm Bruto për frymë? Në rajonin Veri, PBB për frymë është vlerësuar 465 mijë lekë. Nga ana tjetër, PBB-ja për frymë në rajonin qendër dhe jug është vlerësuar 695 mijë lekë dhe 527 mijë lekë respektivisht. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas qarqeve në vitin 2020, ishte në qarkun Tiranë, me 777 mijë Lekë dhe shënoi një rënie në terma nominale me 3,23 %, krahasuar me vitin 2019. PBB për frymë i këtij qarku rezultoi 34,14 % mbi mesataren e vendit. Më pas renditet qarku Fier me 619 mijë Lekë, duke shënuar një rënie në terma nominale me 4,01 %, ndaj vitit 2019. PBB per frymë e këtij qarku rezultoi 6,81% mbi mesataren e vendit. Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas qarqeve në vitin 2020, u vlerësua në qarkun Kukës me 365 mijë Lekë duke shënuar një rritje në terma nominale me 1,27 %, krahasuar me vitin 2019./SKANTV