Me kalimin e orëve janë evidentuar në masë parregullsitë sa i takon procesit të votimit. Një i ri, i cili nuk është rasti i parë i raportuar, rezulton i regjistruar në burg, ndonëse ka përfunduar dënimin prej muajsh.
Pas Fushë-Krujës, Arlind Haxhika nga Shkodra ka denoncuar faktin se nuk mund të votojë, pasi rezulton votues në burgun e Reçit, ku ka vuajtur një dënim, por që është liruar që në janar.
Ai ka rrëfyer se ishte paraqitur te qendra e votimit te shkolla “Xheladin Fishta”, ku kishte votuar gjithmonë, por komisionerët i kanë thënë se ai rezulton votues ende në qendrën e votimit në Reç.
Këtij shtetasi i është kërkuar të ankohet në gjykatë. “Ma kanë lënë qendrën e votimit në Reç, ku kam bërë 3 muaj burg dhe më thanë të votoj te burgu i Reçit. Unë jam liruar nga burgu që më 11 janar, më thanë shko te gjykata, po gjykata është e mbyllur në fundjavë dhe unë nuk mund të votoj”, tha ai.