Punonjësit socialë, të rraskapitur dhe të padukshëm gjatë pandemisë COVID-19

Punonjësit socialë janë punonjës të vijës së parë. Me fjalë të tjera, janë në terren, në kontakt të drejtpërdrejtë me grupet që kanë nevojë për mbështetje sociale. Punonjësit socialë janë ndër të paktët profesionistë që nuk e shkëputën punën gjatë pandemisë, sidomos gjatë pikut të saj. Në fakt, ngarkesa e punonjësve socialë gjatë pandemisë u rrit dukshëm. Në vende të tilla si shkolla, spitale, bashki/njësi administrative, organizata jo-qeveritare, qendra komunitare apo rezidenciale, punonjësit socialë kanë mobilizuar burime, kanë ofruar këshillim, kanë shpërndarë informacion, dhe kanë ofruar shërbime në mënyrë të kombinuar – fizikisht dhe virtualisht. Punonjësit socialë kanë qenë pjesë e grupeve ndërdisiplinore të punës dhe kanë bashkëpunuar me profesionistë të tjerë si psikologë, mjekë, infermierë, mësues, policë, psikiatër, apo juristë. Megjithatë, për punonjësit socialë nuk flitet shpesh. Për më tepër, rrallë janë parë pjesë e debateve publike apo tryezave ku është diskutuar pandemia, efektet e pandemisë apo politikat sociale në përgjigje të pandemisë.

Për të kuptuar se çfarë ndodhi me punonjësit socialë gjatë pandemisë, në periudhën Nëntor 2021 – Janar 2022 ne zhvilluam intervista të thelluara (n = 23) dhe një sondazh në mënyrë elektronike me profesionistë të punës sociale (n = 206). Pjesa më e madhe e punonjësve socialë që morën pjesë në studim (73%) i përkisnin sektorit publik.

Studimi tregoi se gjatë pandemisë punonjësit socialë kanë punuar me orare të zgjatura, shpesh duke realizuar aktivitete që kërkonin angazhim intensiv në terren. Pjesëmarrësit në studim ndanë me ne se kanë shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, kanë ofruar shërbime në shtëpitë e të moshuarve të vetmuar, kanë siguruar strehim për familjet e pastreha, kanë ndërgjegjësuar popullatën në lidhje me mbrojtjen nga COVID-19, apo kanë mobilizuar burime në komunitetet ku veprojnë – një listë kjo që nuk është shteruese. Gjatë izolimit total, punonjësit socialë u përpoqën të gjenin forma alternative të ofrimit të shërbimeve dhe nuk e shkëputën komunikimin me grupet në nevojë. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në studim thanë se në fillimet e pandemisë ofruan shërbime të mënyrë të kombinuar – fizikisht dhe virtualisht – një praktikë kjo, që për disa, vazhdon edhe sot.

Puna në terren nuk ka qenë e lehtë. Punonjësit socialë, ndër të tjera, kanë hasur vështirësi për të siguruar lejen e lëvizjes në komunitet apo për t’u lidhur me grupet pa akses në internet, dhe kanë ndjerë frikë, pasiguri, dhe ankth për veten dhe familjen. 84% e pjesëmarrësve në studim thanë se hasën vështirësi në menaxhimin e ngarkesës së punës në fillimet e pandemisë dhe 56% përzgjodhën konsumimin profesional si një nga vështirësitë me të cilën u përballën. Disa prej tyre thanë se kanë punuar pa ndërprerje dhe numrat e tyre personalë shërbyen si numra emergjence – binin pa ndërprerje, në çdo orë të ditës apo natës.

Lodhja që kanë ndjerë punonjësit socialë gjatë pandemisë nuk lidhet vetëm me situatën e vështirë që krijoi pandemia dhe mënyrën si u menaxhua ajo. Lodhja është tregues i situatës në të cilën ndodhen punonjësit socialë në vend dhe reflekton rëndësinë e pamjaftueshme që i kushtohet mbrojtjes sociale. Çfarë duam të themi me këtë?

Punonjësit socialë punojnë me buxhete të vogla. Zakonisht, buxheti që alokojnë bashkitë për shërbimet sociale qëndron në fund të listës. Një prej pjesëmarrësve në studim tha se buxheti i sektorit të tij, buxhet i cili fokusohej tek adresimi i dhunës në familje dhe barazia gjinore, ishte 500 mijë lekë të rinj në vit. Ai na shpjegoi se kultura dhe shërbimet sociale kanë fondin më të vogël. Ndërkohë, prioritet përbëjnë sektorët e urbanistikës, financës, dhe punëve publike. Një histori e ngjashme u nda edhe nga pjesëmarrës të tjerë në studim.

Ngarkesa që përballojnë punonjësit socialë është e lartë, por pagat janë të ulëta. Pagat, thanë pjesëmarrësit në studim, janë ‘qesharake,’ ‘fyese,’ ‘jo-dinjitoze.’ Një nga shqetësimet që u ngrit gjatë intervistave ishte se punonjësit socialë paguhen si specialistë, jo si profesionistë, edhe pse punojnë krah profesionistëve të tjerë dhe përfundojnë studime universitare e pas-universitare dhe trajnohen në mënyrë të vazhdueshme.

Shkak i rraskapitjes është edhe numri i vogël i punonjësve socialë në institucione. Një prej pjesëmarrëseve në studim tha se shërbente e vetme në një shkollë me mbi 600 nxënës, ndërkohë që pritej të shërbente edhe në kopshte. Kur numrat e punonjësve socialë në institucione janë të ulëta, punonjësit socialë nuk mund të fokusohen në parandalimin e problemeve, por merren me trajtimin e emergjencave dhe ajo çfarë ndodh është që gishti kthehet nga ata kur problemet nuk parandalohen dot.

Lista e vështirësive është e gjatë. Një përqindje e lartë e pjesëmarrësve në studim (71%) thanë se kushtet e punës janë të papërshtatshme – një problem që shqetësonte në mënyrë të veçantë punonjësit socialë në sektorin publik. Punonjësit socialë hasin probleme me infrastrukturën e dobët dhe kufizimet në bazën materiale. Një punonjëse sociale në shkolla ndau me ne se ajo nuk kishte një hapësirë ku mund të zhvillonte takime individuale me nxënësit dhe të diskutonte vështirësitë që ata hasnin; si rezultat, nxënësit ngurronin të takoheshin me të. Disa prej pjesëmarrësve në studim, punonjës socialë në bashki/njësi administrative, thanë se i mbulojnë nga xhepi i tyre kostot e transportit – në rastet kur kryejnë vizita në familje. Vizitat në familje, sidomos ato në zonat e thella rurale, kthehen në kosto të larta për punonjësit socialë.

Një pjesë e profesionistëve që ne intervistuam ishin të zhgënjyer dhe në të njëjtën kohë të zemëruar sepse pozicionet e punonjësve socialë mbaheshin nga profesionistë të fushave të tjera – krejt të ndryshme nga puna sociale. Kjo e vështirësonte bashkëpunimin dhe zgjidhjen e rasteve. Përveç kësaj, punonjësit socialë ishin të mbingarkuar nga procedurat burokratike dhe disa prej tyre thanë se presioni është më i lartë “të jenë në rregull me letrat,” sesa të vendosin në qendër të vëmendjes mirëqenien e grupeve me të cilat punojnë. 47% të pjesëmarrësve në studim thanë se punonjësit socialë nuk ndihen të lirë të ngrenë zërin për problemet që hasin grupet me të cilat punojnë. Ngritja e zërit, sidomos për punonjësit socialë në sektorin publik, mund të rrezikojë vendin e punës ose, “edhe nëse nuk të heqin nga puna,” siç tha një prej pjesëmarrëseve në studim, “[drejtuesit] ta bëjnë jetën të vështirë.” Për të shtuar në këtë listë, punonjësit socialë na thanë se njihen pak nga popullsia apo profesionistët e fushave të tjera.

Pandemia do të ketë efekte afatgjata. Profesionistët e punës sociale, bazuar në eksperiencën e tyre profesionale, diskutuan efekte të tilla si ashpërsimi i varfërisë, rritja e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, shtimi i problematikave të shëndetit fizik dhe mendor, rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje, braktisja e shkollës, apo valë të mëtejshme emigrimi. Disa prej të intervistuarve folën për regres të situatës, braktisjen e fshehtë të shkollës, dhe krijimin e ‘kampeve të punës së zezë.’ Problemet që duhet të adresojnë punonjësit socialë në terren janë rritur dhe janë bërë më komplekse. Ndërkohë, shërbimet janë shumë të kufizuara. Nga studimi, ne kuptuam se disa programe që u zhvilluan gjatë pandemisë – programe emergjente që synonin përmbushjen e nevojave bazë – janë shkëputur, duke lënë kështu një hendek të madh midis asaj çfarë nevojitet dhe asaj çfarë ofrohet. Nevoja për shërbime është e lartë veçanërisht për grupet që janë goditur fort nga pandemia si të moshuarit, të varfrit, dhe personat me aftësi të kufizuara.

Asambleja e parë e Urdhrit të Punonjësve Socialë – organi drejtues i profesionit – e mbajti takimin e parë në dhjetor të vitit 2021. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e konsideroi krijimin e Urdhrit “një pikë kthese në atë që meritojnë punonjësit socialë.” Në fjalimin e saj, ajo tha se “licencimi i punonjësve sociale do të rrisë cilësinë e shërbimeve në të gjithë rrjetin e shërbimeve sociale që ofrohen në vend” (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 2021). Licencimi po pritet me padurim nga komuniteti i punonjësve socialë dhe, në fakt, është i vonuar. Megjithatë, punonjësit socialë – edhe pas licencimit – ka gjasa të vazhdojnë të jenë të rraskapitur dhe të padukshëm, nëse problemet që janë listuar në këtë artikull nuk do të adresohen përmes Urdhrit apo strukturave të tjera. Sistemi i mbrojtjes sociale është i lidhur ngushtësisht me profesionin e punës sociale. Në fakt, mbrojtja sociale dhe puna sociale reflektojnë njëra-tjetrën. Për aq kohë sa punonjësit socialë do të jenë të nëpërkëmbur, sistemi i mbrojtjes sociale do të jetë i dobët./BIRN 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *