Dy persona jan arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi organizonin lojëra fati dhe skedina në mes të Tiranës.
Shtetasit me iniciale E. H., 34 vjeç, dhe A. K., 61 vjeç, akuzohen për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Seria A”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 5, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Goditet 1 rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë. Procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit, i cili e kishte e vendosur subjektin e tij, në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara nëpërmjet aparateve celulare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Seria A”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. H., 34 vjeç, dhe A. K., 61 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. C., 44 vjeç, dhe V. D., 22 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Po në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. D., 34 vjeç, pronari i lokalit, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në një lokal në Laknas, që shtetasi L. D. e kishte vendosur në dispozicion për organizimin e këtyre lotarive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.