Trofeu i Finales së UEFA Europa Conference League është zbuluar këtë të hënë për publikun në sheshin “Skënderbej”. Kupa u prezantua nga ish kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, dhe do të qëndrojë për disa orë në shesh, për të gjithë dashamirësit e futbollit që duan të bëjnë një fotografi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se qyteti është përfshirë nga një valë organizimi për këtë festë të madhe.
Veliaj përmendi tre fan zonat që do të presin tifozët që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta, ku Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në fan zone për tifozët e Romës dhe të Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.
“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike që u kanë bërë atyre që kanë ardhur nga larg. Përshëndesim të gjithë ata që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma, mirë se erdhët në Tiranën tone! Shpresoj shumë që ata që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë vetëm si tifozë, të kthehen sërish si turistë, me miqtë dhe familjet e tyre. E vlerësoj shumë faktin që shumica e qytetarëve po udhëtojnë ose në këmbë ose me biçikleta. Çdo njeri që na ndihmon duke ulur pak trafikun, na ka bërë nder të jashtëzakonshëm. U jemi mirënjohës të gjithëve, që të dalim të nderuar nga kjo histori dhe Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit tone, të shkojë lart e më lart”, tha Veliaj.