Në daljen e parë publike pas mbylljes zyrtarisht të procesit të votimit, kryeministri Rama la të nënkuptuar se nuk pajtohet me exit-poll-et para numërimit të votave, por thotë se duhet të pritet rezultati real. Ai deklaroi se populli ka folur. Ndaj është detyra e çdo numëruesi dhe vëzhguesi, të kontribuojë në numërimin korrekt të votave në kuti. Sipas Ramës, këto Exit Poll-e janë vetëm një parashikim para ndeshjes, ndërsa shton se socialistët duhet të rrinë të qetë pasi e kanë bërë punën e tyre.
“Për herë të parë në Shqipëri zhvillohen exit-polle dhe dua t’i falenderoj të gjithë ata që u angazhuan për këtë eksperiencë në Shqipëri, dhe dua njëkohësisht t’u them të gjithëve në radhë të parë socialistëve se votat janë në kuti. Populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra e çdo numëruesi dhe vëzhguesi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare e ligjore të kontribuojë në numërimin korrekt të votave në kuti.
Hamendjet, sondazhet, exitpoll-et pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse, i përkasin parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i kutive, që është rezultati i ndeshjes. Përqëndrohuni në detyrën tuaj dhe njëkohësisht e përsëris atë që tha Bora edhe në emrin tim, një falenderim nga zemra për të gjithë patronazhistët në gjithë Shqipërinë që kanë bërë një punë mbresëlënëse”, tha Rama.