Policia e Shtetit ditën e sotme gjatë konferencës ndër të tjera ka këshilluar të gjitha bizneset të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi për të minimizuar dhe parandaluar të gjitha situatat e pakëndshme që mund të ndodhin nga tifozeritë.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaratë për mediat:
Apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike.
Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë europianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet.
Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” në bazë të nenit 235, është vepër penale dhe kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me me burgim gjer në pesë vjet; “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në bazë të nenit 235, është vepër penale me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Po kështu konsiderohen vepra penale edhe “Goditjet për shkak të detyrës”, si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të cilat dënohen me gjobë apo me burgim.
Policia e Shtetit është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e tjerë vendas, me autoritetet e organizimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar sportiv, me kolegët italiane dhe holandezë dhe është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet sot në orën 21:00, në stadiumin “Air Albania”, për të cilën ka planifikuar dhe po zbaton të gjitha masat që parashikon ligji.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh të cilët mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe e motivuar për të garantuar një ditë të qetë dhe festive në Tiranë, në mënyrë që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj të shijojnë dhe të gëzojnë një ndeshje ndërkombëtare futbolli, me tërësinë e përmasave që ajo përcjell në vendin tonë dhe në Evropë”, tha Albert Dervishaj.