Nëndetësja e marinës së Indonezisë që u zhduk të mërkurën në ujerat pranë ishullit të Balit, është zbuluar sot e ndarë në tre pjesë në fund të detit.
Të gjithë 53 anëtarët e ekuipazhit të saj janë konfirmuar të vdekur. Zyrtarët e marinës thanë se, kishin marrë sot sinjale nga vendndodhja e nëndetëses prej 800m thellësi.
Një robot nënujor i ardhur nga Singapori, u dërgua në vendndodhje për të konfirmuar pamjet nga rrënoja e mjetit fatkeq ushtarak, ka raportuar sot “Daily mail”.
Nëndetësja “KRI Nanggala” u zhduk gjatë manovrave raketore, dhe shkaku i saktë i tragjedisë ende nuk dihet.
Deklarata e sotme erdhi pasi marina kishte konfirmuar gjetje të materialeve nga nëndetësja, duke përfshirë dhe qilima lutjeje.
Kreu i marinës Yudo Margono, tha se, të tjera sende ishin rikuperuar prej saj si spiranca dhe kostume shpëtimi të ekuipazhit.
“’KRI Nanggala’ është ndarë në tre pjesë, pjesa e përparme, e pasme dhe pjesa kryesore ishin gjetur të veçuara, kjo e fundit ishte e krisur”,- tha ai.
Kreu i ushtrisë Hadi Tjahjanto, konfirmoi se, nuk kishte shanse të gjendeshin të mbijetuar.
“Me trishtim të thellë njoftoj se ekuipazhi prej 53 marinarësh në bord, kanë vdekur”,- tha ai për gazetarët.
Ekspertët thanë më herët se, nëndetësja ishte gjetur në një thellësi më të madhe nga sa mjeti mund të mbijetonte, dhe zotëronte oksigjen të mjaftueshëm vetëm për tre ditë.
Presidenti Joko Widodo do ta përshkruante ekuipazhin e saj si “patriotët më të mirë të Indonezisë”. Ai shtoi se: “Të gjithë indonezianët përçojnë trishtimin e tyre për incidentin, veçanërisht për familjet e anëtarëve të ekuipazhit”.
Nëndetësja e prodhimit gjerman e para 40 vjetëve, kishte kryer një rinovim në vitin 2012.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/