Këtë të premte është duke u zhvilluar mbledhja në Komisionin e Ligjeve, ku është diskutuar përzgjedhja e kandidaturave të paraqitura për anëtar të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit.
Gjatë kësaj të fundit, ka mbajur fjalën edhe kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ku dhe ka pohur se opozita është e interesuar për hapur dosjet dhe jo për t’i varrosur ato.
“Atë pjesë të anëtarësisë së autoritetit të dosjes sipas traditës e kësaj radhe do duhet t’ja kishit lënë opozitës në dorë për ta përcaktuar, që puna e këtij autoriteti të jetë e padiskutueshme, nuk e keni bërë. E kuptoj nxitimin e shpejtësinë me të cilin po veproni. Nuk më bën çudi. Do ishte e ndershme në funksion të mbështetjes që i jepet autoritetit të dosjeve për ta bërë këtë ndarje. Do ishte e logjikshme e një lloj reflektimi për të mbështetur atë autoritet që të paktën që ajo pjesë që vjen nga të përndjekurit politikë të kishte ajo të drejtën për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në këtë autoritet. Viktimat e atij sistemi e kanë të drejtën morale e ligjore që të jenë ata të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë institucion”, tha ai.