Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë që i mori jetën 30-vjeçarit, Gazmend Hyseni. Mësohet se viktima dhe autori, Qëndrim Januzi kanë qenë miq me njëri-tjetrin dhe s’dihen ende arsyet e aktit të rëndë.
30-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij pak pas mesnatës së të premtes në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
Qëndrimi Januzi, vëllai i reperit Buta, raportohet se ka qëlluar 5 herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur në vend.
Gazeta Sinjali, informon se 30-vjeçari ka tentuar të largohet nga vendngjarja por është pikasur rastësisht nga një Njësi Antidroge në Ferizaj, që po transportonte një person të ndaluar në qendrën e paraburgimit.
Efektivët po merrnin ujë në market kur kanë vënë re autorin e dyshuar të ngjarjes me pistoletë në dorë duke u larguar pas vrasjes së ish-mikut të tij.
Ata i kanë kërkuar 30-vjeçarit të ndalojë por Qëndrim Januzi nuk iu është përgjigjur thirrjes së tyre, duke i drejtuar pistoletën.
Në këtë moment, një prej efektivëve e ka qëlluar me plumb në nofull duke e lënë të plagosur të dyshuarin.
Ai iu u dërgua në spital dhe ju nënshtrua një operacioni në QKUK, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Kirurgu Leminot Salihu, i cili kreu ndërhyrjen kirurgjikale, deklaroi se i dyshuari është dërguar në QKUK rreth orës 02:00 dhe “ka konstatuar se plumbi ka hyrë në shpatullën e majtë dhe pastaj ka vazhduar në qafë, ku ka shkaktuar frakturë të nofullës së poshtme”.
Më pas sipas mjekut, plumbi i ka depërtuar në gjuhë dhe ka dalë në buzën e sipërme.
“Pacienti kishte gjakderdhje, është ndalur gjakderdhja dhe është bërë përpunimi i plagës”, tha ai.
30-vjeçari pritet ti nënshtrohet një tjetër ndërhyrje kirurgjikale javën e ardhshme.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria, thanë se policia ka siguruar në vendngjarje pamje filmike që tregojnë se si ka ndodhur krimi i rëndë.