Pasojat e Covid-19 ishin të shumta. Pas dy viteve pandemi ato janë më të dukshme.
Laureta tregon historinë e nënës së saj 65-vjeçare e cila para disa javësh kaloi hemoragji cerebrale.
“Sa arrita në spital mjekët më pyetën nëse e ka kaluar Covid-19. Ajo e kaloi shumë keq. Kur ja hodhi atëherë mendova se nuk ka asgjë më keq. Isha gabuar!”,tregon ajo.
“Rreth 80% e rasteve që kemi hasur janë hemoragji që kanë prekur një ose dy vena. Nëse më përpara shihnim raste për moshat të mëdha +75 vjeç, tashmë mosha është ulur,” tregon mjekja.
Laureta tregon se shenjat e para të së ëmës ishin pamundësia për të folur.
“U ngrit në mëngjes duke ndjekur rutinën e saj, hëngri mëngjes, piu kafen. Më pas nuk po arrinte të fliste tamam. Më tha, më ço në spital menjëherë”,tregon e reja, e cila ju rikthye spitaleve një muaj pasi mamja e saj kishte kaluar Covid-19.
E reja shton më tej se nga analizat dhe skanerat rezultoi që mamasë së saj i ishte dëmtuar një venë e hollë. Fatmirësisht nuk i kishte lënë pasoja!
“U tremba jashtë mase shumë”,tha Laureta.
Neurologja shton më tej se shenjat e para të hemoragjive cerebrale, janë pamundësia për të folur apo për të lëvizur, dhimbje koke dhe marrje mendsh.
Sipas mjekes këto shenja mund të çojnë në raste paralize totale ose në raste fatale për jetën.
Rritjen e rasteve me hemoragji cerebrale e ka konfirmuar edhe shefi i sherbimit neurovaskular, Eris Ranxha.
Ai ka deklaruar se është ulur mosha e individëve që pësojnë hemoragji cerebrale.
“Hemoragjitë cerebrale kanë qenë së sëmundje të stadeve moshore 6-7 të jetës. Ndërsa vitet e fundit ka zbritur në stadet 4-5 të jetës”,ka shpjeguar Ranxha.
Ndërkaq, në një raport përmbledhës të botuar në revistën “Science Direct”, ka 50 raporte që tregojnë lidhjen e Covid-19 dhe hemoragjive cerebrale.
Sipas të dhënave mosha më e prekur rezultoi të ishin personat rreth të 70-tave.
Nga të dhënat përcaktohet de kishte një rritje të konsiderueshme të rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek këta pacientë, menjëherë pasi kishin kaluar Covid-19./gazetaSi