Ori Nebijaj për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike si zëdhënëse, dhe ka kandiduar për drejtimin e FRPD-së përballë Belind Këlliçit. Mirëpo pas disa vitesh, Ori vendosi të hiqte dorë nga angazhimi politik, për t’u fokusuar tek puna e saj në televizion.
View this post on Instagram
Jo pak surprizë ishte kandidimi i saj për deputete. Përpos miqve e ndjekësve të shumtë që ajo ka krijuar ndër vite, Ori ka surprizuar jo pak me rezultatin e arritur në njësinë numër 10 në kryeqytet.
Moderatorja e njohur e “Wake Up”, e cila kandidon e 18-ta në listën e PD-së për Tiranën, ka arritur që të lërë pas edhe figura historike, si ish-kryeministri Sali Berisha. Ajo ka marrë 469 vota, ndërsa Berisha vetëm 238 vota.
Në listën e PD-së në njësinë 10, nuk është Lulzim Basha më i votuari, por Agron Shehaj me 525 vota, që lë pas liderin e PD-së me 492.
Ori ka zbuluar më herët në emisionin “Binjakët”, se do të heqë dorë përfundimisht nga televizioni. Ajo tha se ka rënë dakord me drejtuesit që të mbyllë këtë sezon, duke qenë se mund ta ndiqte në të njëjtën kohë me fushatën.
“Do ta lë televizionin, sepse unë do bëhem deputete. Edhe nëse nuk do bëhem deputete, do të largohem, sepse unë do të jem në politikë”, u shpreh Ori e bindur për vendimin e saj.