Terrorizoi qytetarët te sheshi ‘Skënderbej’, 32-vjeçari do përballet me 3 vepra penale

Arben Mema, 32-vjeçari që terrorizoi dje dhjetëra qytetarë te sheshi ‘Skënderbej’ me veprime të pakontrolluara me makinë, do të akuzohet për tre vepra penale. Ai akuzohet për “tentativë vrasje në rrethana cilësuese”, “prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.

Nga testi i alkoolit ka rezultuar zero, ndërsa akoma nuk ka dalë përgjigja e analizës në gjak për të parë se sa ka qenë % e lëndës narkotike që ka konsumuar. Nga kontrolli që është bërë në banesën e 32 vjeçarit të arrestuar nuk është gjetur asnjë gjë e jashtëligjshme.

Mema u fut në sheshin ‘Skënderbej’ me makinë dhe bënte lëvizje të pakontrolluara, duke vënë në rrezik jetën e personave që ndodheshin aty afër. Ai u neutralizua nga një qytetar që bëri një veprim heroik, duke ndërhyrë dhe duke evituar lëndimin e qytetarëve. I riu 22 vjeç, i identifikuar si Klodian Elqeni, iu afrua automjetit të agresorit dhe e goditi atë me shkelm në fytyrë, ndërsa tha për mediat se e bëri këtë veprim pasi mendoi se bëhej fjalë për një akt terrorist.

Pas ngjarjes, dy të rinjtë që shmangën tragjedinë e mundshme, janë pritur në selinë e Partisë Socialiste nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *