Shpëtimi i civilëve të të gjitha kombësive nga zonat më të rrezikshme të luftës në Ukrainë është misioni i organizatës jofitimprurëse amerikane, Projekti Dinamo. Së fundmi, kjo organizatë shpëtoi një amerikan që po mbahej rob nga trupat ruse.
Këto pamje tregojnë misionin e shpëtimit të banorit të Miçiganit Kirillo Alexandrov, bashkshortes dhe vjehrrës së tij. Zoti Alexandrov ishte mbajtur rob nga forcat ruse në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson për më shumë se një muaj.
“Më dy prill u arrestova nga ushtria ruse. Ata erdhën në shtëpinë time ndërsa unë po lahesha. Më rrahën ndërsa isha në pranga. Ata ushtruan dhunë ndaj bashkëshortes sime. Krijuan një skenë të rreme ekzekutimi, më rrahën më shumë dhe më mbajtën në një qeli për tridhjetë e shtatë ditë.”
Zoti Aleksandrov u akuzua në mënyrë të rreme nga ushtarët rusë se ishte spiun, thonë anëtarët e organizatës Projekti Dinamo, të cilët e shpëtuan atë.
“Ai u trajtua në këtë mënyrë vetëm sepse ishte shtetas amerikan”, thotë Bryan Stern, bashkëthemelues i Projektit Dinamo.
Tani, pas operacionit të shpëtimit taktik të kryer nga Projekti Dinamo, Alexandrov dhe familja e tij janë të lirë.
Projekti Dinamo është një organizatë private evakuimi me qendër në Florida, e cila financohet nga donatorë. Ajo u themelua nga disa persona, të cilët kanë shërbyer në ushtrinë amerikane, për të shpëtuar amerikanët dhe aleatët e tyre nga Afganistani gjatë tërheqjes së Shteteve të Bashkuara në vitin 2021.
Ndërsa vazhdon operacionet në Afganistan, Projekti Dinamo ka punuar në Ukrainë që nga fillimi i shkurtit, thotë Bryan Stern, një veteran i ushtrisë amerikane.
“Ne i japim përparësi personave në rrethana të vështira, si atyre që janë në Mariupol, ose atyre që janë arrestuar nga rusët nën dyshimet se janë ‘spiun’. Ne i japim përparësi foshnjave dhe fëmijëve. Pra, ka shumë bebe që lindin në Ukrainë nga nëna surrogate. Ato nuk mund të pajisen me pasaportë sepse janë bebe dhe prindërit e tyre nuk janë me ta.”
Zoti Stern thotë se në mbi 60 misione organizata e tij ka arritur të shpëtojë mbi 700 njerëz të kombësive të ndryshme.
Për rastin e zotit Alexandrov, Bryan Stern thotë se kishin marrë informacione se ai pritej të ekstradohej në Moskë, ku do të përballej me burgim për më shumë se 20 vjet.
Kirillo Alexandrov është mirënjohës që u shpëtua.
“Kur u lirova, përjetova lehtësimin më të madh që kam ndjerë ndonjëherë në jetën time. Isha jashtëzakonisht i lumtur që pashë familjen time, nënën time, të cilën nuk e kisha parë për pothuaj një vit. Familja ime dhe unë jemi gjallë për shkak të punës së zotit Bryan dhe ekipit të tij.”
Rusia mohon të ketë vënë në shënjestër civilët. Por zoti Stern thotë se Projekti Dinamo tani është në diskutime me OKB-në, Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe qeverinë amerikane në lidhje me abuzimin që Aleksandrov dhe familja e tij pësuan në duart e ushtarëve rusë./VOA