Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan se Moska është e gatshme të punojë me Ankaranë për të liruar portet ukrainase që ajo ka bllokuar, teksa Kremlini po vazhdon pushtimin e Ukrainës.
Putin gjithashtu ka shprehur “gatishmërinë”e Rusisë për të kontribuar për transitin e papenguar detar të mallrave në koordinimin me partnerët turq, citohet të ketë thënë Putini kur ka zhvilluar një bisedë telefonike me Erdoganin në 30 maj.
Mesazhi i Erdoganit
“Paqja duhet arritur sa më shpejt”, i ka thënë Erdogan, presidentit rus Vladimir Putin duke nënvizuar në të njëjtën kohë nevojën për të ndërtuar një mekanizëm besimi mes palëve.
“Ka nevojë për masa për të minimizuar efektet negative të luftës dhe për të rivendosur një terren për paqe”, i tha presidenti turk homologut të tij rus. Kjo u raportua nga një shënim i lëshuar nga zyra e presidencës së Ankarasë.
Erdogan-Putin, fokusi në lundrimin e sigurt në Detin Azov dhe Detin e Zi
Putin dhe Erdogan, sipas Kremlinit, “diskutuan situatën në Ukrainë” dhe “theksi ishte në sigurimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe Azov, duke eliminuar kërcënimin në ujërat e tyre”.
Putin: Gati për të eksportuar produkte bujqësore nëse hiqen sanksionet
“Në dritën e problemeve në tregun botëror të ushqimit, që ndodhën për shkak të politikës së pakujdesshme financiare dhe ekonomike të Perëndimit, Rusia mund të eksportojë sasi të konsiderueshme të plehrave dhe produkteve bujqësore nëse hiqen sanksionet anti-ruse”.
Kështu i tha presidenti rus Vladimir Putin liderit turk Rexhep Tajip Erdogan në bisedën e sotme telefonike, siç raporton Kremlini, cituar nga TASS.