Të njohurat dhe të panjohurat pas bisedës mes Vuçiçit dhe Putinit

Pas bisedës mes presidentëve të Serbisë dhe Rusisë për marrëveshjen e re të gazit ndërmjet dy vendeve, publiku mësoi më shumë detaje rreth gazit nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mësoi se në agjendë ishte edhe Kosova.

Përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas vizitës në depon e mallrave rezervë, vendosi të japë detaje përmes një deklarate për media, presidenti i Rusisë e ka paraqitur informacionin në një deklaratë të shkurtër në faqen zyrtare të Kremlinit.

Serbia është kryesisht e varur nga gazi rus dhe marrëveshja mes dy vendeve skadon më 31 maj. Prandaj, Vuçiçi dhe Putini biseduan në telefon më 29 maj për marrëveshjen e re dhe kushtet për Serbinë, që një prej shteteve të rralla që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës zyrtare, pas pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, Serbia mbështeti disa rezoluta të OKB-së dhe BE-së, në të cilat dënoi agresionin kundër Ukrainës.

Për këtë shkak, por edhe për faktin që Rusia pezulloi dërgimin e gazit për Bullgarinë fqinje, si dhe për disa vende të tjera, biseda mes Vuçiqit dhe Putinit shtoi interesimin e mediave botërore.

Ja çfarë dihet pas këtij takimi, por edhe ajo që mbeti e panjohur.

Kontratë trevjeçare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për media ka thënë se kontrata e re do të nënshkruhet për tre vjet. Marrëveshja do të nënshkruhet me kompaninë shtetërore ruse të energjisë Gazprom.

Për Ukrainën

Që të dy, Vuçiçi dhe Putini, në deklaratë, gjegjësisht, komunikatë, kanë përmendur se kanë biseduar për situatën në Ukrainë.

Përderisa deklarata zyrtare e Kremlinit nuk përmend asgjë më shumë për këtë temë, Vuçiq u tha gazetarëve, pas bisedimeve me Putinin, se ai ia theksoi Putinit qëndrimin e Serbisë se Beogradi do të donte që “paqja në Ukrainë të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkaq që presidenti rus dha informacione nga këndvështrimi i vet”.

“Më tha se ka një marrëveshje të ofruar, kontratë, me të cilën ata janë njohur, e cila është në tryezë në Moskë, Kiev dhe në qendrat e tjera të Perëndimit”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se kishte dëgjuar disa elemente të marrëveshjes, por se Serbia është një vend i vogël për t’’i zgjidhur ato probleme dhe se “vetëm shpreson se do të vendoset paqja”.

Vuçiqi nuk i shpalosi detajet e marrëveshjes.

Në komunikatën e Kremlinit, këto detaje nuk përmenden.

Për Kosovën

Në deklaratën e tij, presidenti i Serbisë nuk ka përmendur se është folur edhe Kosova.

Megjithatë, ky informacion bëhet i ditur në komunikatën e Kremlinit, ndonëse pa më shumë detaje.

Bisedimet për këtë temë u bënë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, në bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 26 prill, tërhoqi një paralele midis ish-krahinës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe pjesëve të Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, gjë që, ndryshe nga rasti i Kosovës, është dënuar nga shumica në bashkësinë ndërkombëtare.

Forcimi i marrëdhënieve

Në komunikatën e Kremlinit theksohet se të dy burrështetasit diskutuan gjithashtu lidhur me hapat për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik.

“Është rikonfirmuar gatishmëria e ndërsjellë për forcimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, në bazë të lidhjeve tradicionalisht të ngushta mes popujve të të dyja vendeve”, thuhet në komunikatën e Kremlinit.

Forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është paralajmëruar në momentin kur Rusia po përballet me paralajmërimet për pakon e gjashtë të sanksioneve të Bashkimit Evropian, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia, deri më tash, nuk është harmonizuar me asnjë nga këto pako të sanksioneve.

A po shkon Lavrovi në Beograd?

As Putini dhe as Vuçiqi nuk e kanë komentuar informacionin e publikuar nga disa media në Serbi se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të shkojë në Beograd, më 7 qershor.

Nëse ky informacion konfirmohet, do të ishte vizita e parë e tillë e nivelit të lartë nga një zyrtar rus, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Tri ditë më vonë, sipas mediave gjermane, kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë Serbinë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *