Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA është duke hetuar dy marka luleshtrydhesh organike të shitura në shumë dyqane ushqimore, për një lidhje të mundshme me një shpërthim të hepatitit A.
Shpërthimi në shumë shtete ka qenë i lidhur potencialisht me luleshtrydhet organike të quajtura FreshKampo dhe HEB, tha FDA. Mediat e huaja bëjnë me dije se luleshtrydhet e freskëta organike të markës FreshKampo dhe HEB u shitën në disa shitës me pakicë në mbarë vendin. Luleshtrydhet e prekura janë blerë nga data 5 mars deri më 25 prill. Megjithatë, konsumatorët që i blenë ato dhe i ngrinë për t’i konsumuar më vonë, këshillohen që t’i asgjësojnë menjëherë.
“Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë marke keni blerë, kur i keni blerë ose nga ku i keni blerë luleshtrydhet përpara se t’i ngrini ato, duhet t’i hidhni”, tha FDA.
Hepatiti A është një infeksion i mëlçisë i parandalueshëm nga vaksina, sipas CDC. Është sëmundje ngjitëse dhe ka simptoma si lodhja, vjellja, dhimbjet e stomakut dhe verdhëza, të cilat mund të zgjasin deri në dy muaj. Në raste të rralla, FDA tha se mund të sjellë mosfunksionim të mëlçisë dhe vdekje.